Irani paralajmëron SHBA-në: Nuk do të lejojmë kontrollin e Ngushticës së Hormuzit

Shtabi i lartë ushtarak i Iranit, “Khatam al-Anbiya”, ka deklaruar se nuk do të lejojë Shtetet e Bashkuara të ndërhyjnë në menaxhimin e Ngushticës së Hormuzit.
Në një deklaratë të publikuar nga agjencia iraniane e lajmeve “Tasnim”, ushtria iraniane ka thënë se “veprimet e përsëritura të papërgjegjshme” të SHBA-së në këtë ngushticë kanë rrezikuar seriozisht sigurinë e rajonit.
Irani ka theksuar se nuk do të lejojë që SHBA-ja të marrë kontrollin e kësaj rruge të rëndësishme ujore, duke shtuar se forcat e saj të armatosura po përballen me çdo kërcënim nga ajo që e quajti “ushtria bandite” e SHBA-së, shkruan BBC, transmeton Periskopi.
Sipas deklaratës, çdo bashkëpunim me SHBA-në do të konsiderohet akt “lufte” ndaj sovranitetit të Iranit. Teherani ka paralajmëruar gjithashtu se nëse konflikti zgjerohet, “flakët e luftës do të përfshijnë të gjitha vendet e rajonit”.
Deklarata e Iranit vjen pasi presidenti amerikan Donald Trump tha më herët se SHBA-ja “po merr kontrollin e ngushticës”./ Periskopi/











