Xhamat e errët në vetura, Gjykata Supreme del me vendim: Ndalimi i paligjshëm

Xhamat e errët në vetura, Gjykata Supreme del me vendim: Ndalimi i paligjshëm

Gjykata Supreme e Kosovës ka shfuqizuar pjesërisht dispozitat e Udhëzimit Administrativ të Ministrisë së Punëve të Brendshme që kufizonin përdorimin e xhamave të errët në automjete, duke vlerësuar se disa nga ndalimet e vendosura nuk mbështeteshin në ligjin në fuqi.

Vendimi është marrë pas padisë së Organizatës Joqeveritare “Marakli t’Kerreve” dhe Institutit “TriPika – Sport, Sociale, Ekonomi”, të cilët kërkuan vlerësimin e ligjshmërisë së nenit 7 të Udhëzimit Administrativ (MPB) Nr. 12/2024 për Plotësimin dhe Ndryshimin e Udhëzimit Administrativ Nr. 04/2023 për Regjistrimin e Mjeteve.

Me aktgjykim, Kolegji i Gjykatës Supreme shpalli të paligjshëm dhe shfuqizoi paragrafin 1, paragrafin 3 dhe paragrafin 4 të nenit 7, ndërsa refuzoi kërkesëpadinë lidhur me paragrafin 2, i cili mbetet në fuqi.

Në arsyetimin e saj, Gjykata konstatoi se ligjet që rregullojnë trafikun rrugor dhe automjetet nuk përmbajnë ndalim të përgjithshëm për vendosjen e materialeve errësuese apo për zëvendësimin e xhamave të automjeteve me xhama të errësuar.

“Ligji Nr. 08/L-186 për Rregullat e Trafikut Rrugor dhe Ligji Nr. 05/L-132 për Automjete nuk përmbajnë ndalim të përgjithshëm për vendosjen e materialeve errësuese apo zëvendësimin e xhamave të automjeteve me xhama të errësuar. Përkundrazi, legjislacioni në fuqi parashikon mundësinë e modifikimeve në automjete, me kusht që ato t’i nënshtrohen procedurave të verifikimit teknik dhe atestimit sipas standardeve të përcaktuara me ligj”, thuhet në vendim.

Sipas Gjykatës Supreme, dispozitat e shfuqizuara nuk kishin karakter zbatues, por krijonin kufizime të reja që nuk ishin paraparë nga Kuvendi përmes ligjit.

“Paragrafi 1 i nenit 7 vendoste një kufizim që nuk gjendet në ligj, duke lejuar xhamat e errët vetëm për automjetet që i kanë të instaluara nga prodhuesi, ndërsa paragrafi 3 ndalonte në mënyrë të përgjithshme vendosjen e folieve errësuese në xhamat e automjeteve. Këto dispozita nuk përbënin thjesht zbatim apo konkretizim të ligjit, por krijonin kufizime të reja materiale që ligjvënësi nuk i kishte paraparë”, vlerësoi Gjykata.

Gjykata shfuqizoi edhe paragrafin 4 të nenit 7, i cili parashihte mundësinë që përjashtimet nga ndalimi të lejoheshin me vendim të Ministrit të Punëve të Brendshme.

“Paragrafi 4, i cili parashihte lejimin e përjashtimeve me vendim të Ministrit të Punëve të Brendshme, ishte i lidhur ngushtë me ndalimin e parashikuar në paragrafin 3 dhe, për rrjedhojë, nuk mund të qëndronte në fuqi pasi vetë ndalimi bazë rezultoi i paligjshëm”, thuhet në arsyetimin e aktgjykimit.

Në vendim, Gjykata Supreme ka ritheksuar kufijtë e kompetencave të institucioneve ekzekutive gjatë nxjerrjes së akteve nënligjore.

“Organet administrative mund të nxjerrin akte nënligjore vetëm për të zbatuar dhe konkretizuar ligjin, por jo për të krijuar ndalime apo kufizime të reja që nuk burojnë nga dispozitat ligjore. Çdo kufizim i të drejtave ose i mundësive të përdorimit të automjeteve duhet të mbështetet në autorizim të qartë ligjor dhe të respektojë parimet e ligjshmërisë, sigurisë juridike dhe proporcionalitetit”, theksohet në aktgjykim.

Sipas Gjykatës, dispozitat e kontestuara krijonin edhe trajtim të ndryshëm për automjete që ndodheshin në rrethana të krahasueshme.

“Dispozitat e shfuqizuara krijonin trajtim të ndryshëm për automjete që ndodhen në situata të krahasueshme, pa një bazë të qartë ligjore dhe pa u dëshmuar nevoja për një dallim të tillë në funksion të mbrojtjes së interesit publik”, thuhet në vendim.

Ndërkaq, Gjykata gjeti se paragrafi 2 i nenit 7 ka karakter teknik dhe administrativ, pasi rregullon vetëm evidentimin e xhamave të errët në dokumentacionin e regjistrimit të automjetit, pa vendosur kufizime apo ndalime që bien ndesh me ligjin, ndaj edhe e la atë në fuqi./ Periskopi/

Të ngjashme
IKD: Vendimet e KPM-së po cenojnë seriozisht lirinë e mediave në Kosovë

IKD: Vendimet e KPM-së po cenojnë seriozisht lirinë e mediave në Kosovë

Irani thotë se është mbyllur Ngushtica e Hormuzit, paralajmëron sulme ndaj anijeve që tentojnë të kalojnë

Irani thotë se është mbyllur Ngushtica e Hormuzit, paralajmëron sulme ndaj anijeve që tentojnë të kalojnë

Gjermania dhe Zvicra dominuan votimin jashtë Kosovës

Gjermania dhe Zvicra dominuan votimin jashtë Kosovës

Irani godet forcat amerikane në Bahrein, Kuvajt dhe Jordani

Irani godet forcat amerikane në Bahrein, Kuvajt dhe Jordani

PD thotë se SHBA ia hoqi “non gratan”, Berisha në Kuvend: Unë erdha, u krye

PD thotë se SHBA ia hoqi “non gratan”, Berisha në Kuvend: Unë erdha, u krye

Specialja e bojkoton raportimin e ekspertëve britanikë në Hagë që ngriti shqetësime për funksionimin e saj

Specialja e bojkoton raportimin e ekspertëve britanikë në Hagë që ngriti shqetësime për funksionimin e saj

Janina Ymeri dorëzon padi për shpifje ndaj Glauk Konjufcës

Janina Ymeri dorëzon padi për shpifje ndaj Glauk Konjufcës

Shpërthim i fuqishëm në Strellc të Deçanit, policia arreston një person

Shpërthim i fuqishëm në Strellc të Deçanit, policia arreston një person

Aksident me fatalitet mes një veture e biçiklete në Prizren, arrestohet një person

Aksident me fatalitet mes një veture e biçiklete në Prizren, arrestohet një person

ShBA i heq “non grata”-n Sali Berishës

ShBA i heq “non grata”-n Sali Berishës

Theret me thikë një grua në Prishtinë, i dyshuari merr trajtim psikiatrik e dërgohet në mbajtje

Theret me thikë një grua në Prishtinë, i dyshuari merr trajtim psikiatrik e dërgohet në mbajtje

Arrestohet gruaja që dyshohet se rrëmbeu një të mitur në Vushtrri

Arrestohet gruaja që dyshohet se rrëmbeu një të mitur në Vushtrri

0:000:00