Truku i Japonisë nga trajnerët bën bujë në Botëror

Japonia rrëmbeu një barazim të vlefshëm 2-2 ndaj Holandës në ndeshjen hapëse të Grupit F në Kupën e Botës 2026, por përveç rezultatit, vëmendjen e të gjithëve e mori edhe një taktikë e pazakontë e trajnerit Hajime Moriyasu dhe stafit të tij.
Në minutat e fundit të takimit, trajnerët japonezë u panë duke ngritur një tabelë të bardhë pranë vijës anësore, ku shfaqeshin numra që tregonin saktësisht sa minuta kishin mbetur deri në fund të ndeshjes. Qëllimi ishte i qartë: t’u kujtohej futbollistëve se koha po mbaronte dhe se duhej të shtonin ritmin për të kërkuar golin e barazimit.
Një ndeshje spektakolare
Holanda kaloi në epërsi në minutën e 51-të falë kapitenit Virgil van Dijk, i cili realizoi me kokë pas një goditjeje të saktë drejt këndit të portës.
Megjithatë, Japonia reagoi shpejt dhe barazoi me Keito Nakamura, duke rikthyer emocionet në stadiumin e Dallasit.
Në gjysmëorën e fundit, ndeshja u zhvillua me ritëm të lartë nga të dyja skuadrat. Kur Crysencio Summerville shënoi për 2-1 në favor të Holandës, shumë menduan se “Tulipanët” kishin siguruar fitoren.
Por japonezët nuk u dorëzuan. Në minutën e 88-të, Daichi Kamada përfitoi nga një devijim dhe e dërgoi topin në rrjetë për rezultatin përfundimtar 2-2.
Tabela që motivoi lojtarët
Një nga momentet më interesante të ndeshjes ishte pikërisht përdorimi i tabelës së bardhë nga stafi teknik japonez.

Numrat ndryshonin nga tre në dy e më pas në një, duke i treguar lojtarëve se sa pak kohë kishte mbetur për të reaguar. Moriyasu kishte përdorur të njëjtën metodë edhe në fund të pjesës së parë, kur ngriti numrin 45 për t’i kujtuar ekipit minutën e lojës.
Pas golit të Kamadas në fund të ndeshjes, shumë tifozë në rrjetet sociale nisën të komentojnë se taktika rezultoi perfekte.
Reagimet e ekspertëve
Ish-trajneri i Tottenhamit, Ange Postecoglou, e pëlqeu këtë metodë të pazakontë.
“Duket se japonezët e menaxhojnë mirë kohën”, tha ai me humor në ITV.
Megjithatë, ai shtoi se do të kishte preferuar që tabela të përmbante edhe mesazhe më motivuese për lojtarët.
“Do të doja të shihja diçka që u thotë të jenë më të guximshëm dhe të luajnë më shumë futboll. Unë i njoh aftësitë që kanë”, u shpreh australiani, i cili ka punuar në Japoni nga viti 2018 deri në vitin 2021.
Ndërkohë, ish-kapiteni i Manchester United, Gary Neville, nuk u duk aq i bindur.
“Jo, jo, jo. Kjo nuk është një taktikë që kam përdorur ndonjëherë”, tha ai duke qeshur.
“Kur pashë numrin gjashtë të shfaqej, mendova se ishte numri i golave që kishim pësuar.”
Koeman mbron vendimet e tij
Ndërsa Japonia mori lëvdata për menaxhimin e ndeshjes, trajneri i Holandës, Ronald Koeman, u përball me kritika për ndryshimet mbrojtëse që bëri në pjesën e dytë.
Ai largoi nga loja golashënuesin Crysencio Summerville gjatë një zëvendësimi të trefishtë dhe më pas futi në lojë një mbrojtës të tretë qendror, Nathan Aké.
Pas ndeshjes, Koeman mbrojti zgjedhjet e tij.
“Kishim probleme në krahë dhe nëse e analizoni ndeshjen, të dy golat erdhën sepse nuk mbrojtëm mirë”, tha ai.
Trajneri holandez theksoi se futbolli shpesh është i paparashikueshëm.
“Pas golit të dytë të Japonisë, edhe ata filluan të mbroheshin. Ne mund të kishim shënuar edhe golin e tretë. Prandaj nuk pendohem për vendimet që mora”, përfundoi Koeman.
Barazimi e lë grupin plotësisht të hapur, ndërsa Japonia fitoi jo vetëm një pikë të rëndësishme, por edhe admirimin e shumë tifozëve për kreativitetin e treguar pranë vijës anësore. /GazetaExpress/












