Sot dita më e nxehtë e javës - temperaturat deri në 38 gradë

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK), ka njoftuar se, java e fundit e muajit qershor dhe fillimi i korrikut do të karakterizohen nga mot fillimisht shumë i nxehtë.
Sipas IHMK-së, nga mesi i javës pritet depërtimi i një mase ajrore më të freskët nga veriperëndimi i kontinentit.
“Ky ndryshim do të sjellë ulje të ndjeshme të temperaturave, shtim të paqëndrueshmërisë atmosferike, si dhe reshje lokale shiu të shoqëruara me shkarkime rrufesh”, bën të ditur IHMK-ja.
Ndërkaq sot, në vendin tonë do të mbajë mot kryesisht me diell dhe vranësira të pakta kalimtare.
Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 15 e 18 gradë celsius, kurse ato maksimalet e ditës do të arrijnë në 32 deri në 38 gradë celsius, kështu duke u bërë dita më të nxehtë e javës.
Era do të fryjë nga veriperëndimi me shpejtësi 1 deri në 5 metra për sekondë. /Periskopi/











