LAJMI I FUNDIT – Apeli i GJKKO rrëzon sërish kërkesën e Sali Berishës

Apeli i Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka rrëzuar një tjetër kërkesë të ish-kryeministrit shqiptar, Sali Berisha, për të marrë pjesë në seancat e zhvilluara ndaj tij. Kjo kërkesë erdhi pas vendimit për arrest shtëpiak, i marrë ndaj tij më 30 dhjetor 2023. Megjithatë, në një dalje publike pas vendimit, avokati […]
Kjo kërkesë erdhi pas vendimit për arrest shtëpiak, i marrë ndaj tij më 30 dhjetor 2023.
Megjithatë, në një dalje publike pas vendimit, avokati kryesor i Berishës, Genc Gjokutaj, ka dalë në një prononcim për media, duke thënë se kërkesa kryesore e palës mbrojtëse mbetet liria e Berishës.
Kjo, pasi sipas tyre, nuk ka asnjë provë se ai ka kryer një vepër penale.
Dy ditë më parë, mbrojtja e Berishës ka bërë edhe rekurs në Gjykatën e Lartë, për heqjen e masës së arrestit në shtëpi, në të cilën ai ndodhet prej 30 dhjetorit 2023.
Përmes avokatëve mbrojtës, Berisha ka kundërshtuar ashpërsimin e masës së detyrimit të paraqitjes që ka pasur më parë, në arrest në shtëpi.
Ndaj, më 20 mars, ai ka bërë rekurs pranë Gjykatës së Lartë, pas vendimit të GJKKO-së për t’ia vijuar masën e arrestit në shtëpi.
Berisha, është zyrtarisht në arrest shtëpie ku vendimin e ka marrë Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, pas kërkesës nga Prokuroria e Posaçme SPAK.
Më 21 dhjetor, ishte Kuvendi i Shqipërisë, ai i cili i hapi rrugën Berishës për t’u arrestuar nga SPAK.
Pavarësisht votimit vetëm me votat e mazhorancës, Berisha nuk e ka pranuar këtë vendim parlamentar ndaj tij dhe ndaj, mundet edhe të mohojë gjithë rrethanat e lënies në arrest shtëpie.
Por me çfarë ka të bëjë konkretisht çështja e Berishës?
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë (SPAK) do të zbulonte përmes një njoftimi zyrtar detajet hetimore lidhur me privatizimin e ish-kompleksit të klubit Partizani.
Në mesin e të akuzuarve ishin ish-kryeministri Sali Berisha me veprimet e tij konkrete për të bërë që dhëndri i tij Jamarbër Malltezi të përfitonte nga kjo skemë e parregullt.
Më saktë, objekti i hetimit të këtij procedimi penal, sipas SPAK-ut, ishin veprimet e kryera nga funksionarë të lartë shtetërorë dhe persona të tjerë, për privatizimin e terreneve dhe objekteve sportive të “Klubit të Futbollit Partizani” dhe “Klubit Shumësportësh Partizani”.
Prokuroria e Posaçme dyshon se Berisha ka konsumuar veprën penale të ‘Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë’, e kryer në bashkëpunim me shtetasin Jamarbër Malltezi, parashikuar nga neni 260 e 25 i Kodit Penal.
SPAK shton se Berisha në cilësinë e tij si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, dyshohet se ka kryer veprime konkrete dhe aktive, në miratim ligjesh apo aktesh nënligjore.
Kjo, me qëllim përshtatjen e tyre sipas nevojave që paraqiteshin për pesë familjet e njohura pronare, ku fitues i drejtëpërdrejtë ndër të tjerë, rezultonte të ishte Jamarbër Malltezi.
Berisha, dyshohet madje se ka kryer veprime aktive për kryerjen e kontrolleve administrative, me qëllimin e ushtrimit të presionit dhe dhënien e urdhërave konkrete, për konkludimin e procedurave të privatizimit, në favor ndër të tjerë, edhe të Jamarbër Malltezit, vijon SPAK-u.
Sipas Prokurorisë, Berisha dyshohet se ka kryer po ashtu veprime aktive në vendosjen në dispozicion të Malltezit, të strukturave të ndryshme të administrates shtetërore për realizimin e procesit të privatizimit të pronës shtetërore.











