KPM-ja pritet të vendos së shpejti për të drejtat e transmetimit të Premier Ligës

Komisioni i Pavarur i Mediave pritet të mblidhet ditëve të ardhshme dhe të vendosë rreth të drejtave të transmetimit të Premier Ligës angleze në Kosovë. Anëtarët e KPM-së, në raportim në Komisionin Parlamentar për Media të hënën, thanë sot se janë duke e trajtuar rastin e të drejtave të transmetimit të Premier Ligës nga disa […]
Anëtarët e KPM-së, në raportim në Komisionin Parlamentar për Media të hënën, thanë sot se janë duke e trajtuar rastin e të drejtave të transmetimit të Premier Ligës nga disa operatorë të licencuar të shpërndarjes në Kosovë.
Kryetari i Bordit të KPM-së, Jeton Mehmeti tha se letra të cilën Premier Liga angleze ia dërgoi javën e kaluar deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Valon Ramadanit, ka krijuar paqartësi të reja lidhur me të drejtat e transmetimit të Premier Ligës në Kosovë.
“Komisioni i Pavarur për Media, qysh në shtator të vitit të kaluar ka nisur që të interesohet mbi të drejtat e Premier Ligës në Republikën e Kosovës dhe kjo për shkak se me 4 shtator të vitit të kaluar kemi marrë një letër direkt nga Premier Liga, e cila shprehte shqetësim se Premier Liga po transmetohej pa të drejtë në tre operatorë që janë Kujtesa, Artmotion dhe IPKO. Dhe, në atë letër Premier Liga na ka konfirmuar se të drejtën prej tre sezona për transmetim të ligës në Kosovë, Premier Liga ia ka dhënë dy entiteteve të pavarura: njëra prej tyre quhet DigitAlb e cila ka të drejtë të transmetimit në gjuhën shqipe dhe tjetra quhet Arena e cila ka të drejtën e transmetimit të Premier Ligës për Kosovë në gjuhën serbe”, ka thënë Mehmeti.
“Kjo letër na ka shtyrë neve që të kërkojmë prej operatorëve që kanë marrëveshje me Arenën, që t’i risjellin edhe njëherë autorizimet që kanë me Arenën sepse duam të jemi të sigurt që operatorët tanë kanë marrëveshje për transmetim të Premier Ligës në Kosovë”, ka deklaruar Mehmeti.
Edhe Besnik Berisha, anëtar i KPM-së, tha se të drejtat e transmetimit të ndeshjeve të Premier Ligës do të rishqyrtohen nga KPM-ja.
“Shkresa e fundit na ka heq njëfarë dileme, sepse aty përmendet – jo në mënyrë eksplicite, por shumë të qartë – se Premier Liga nuk e ka autorizuar Arenën për të lejuar Artmotion për distribuim të ndeshjeve të Premier Ligës. Po mendoj që ky duhet të jetë edhe interpretimi ynë. Është çështje e trajtimit, do të thotë faktet do t’i mbledhim dhe trajtojmë. Unë po mendoj që në këtë rast kemi një kundërshti mes asaj që po thonë Premier Liga dhe Arena. Derisa Premier Liga po thotë që Arena nuk e ka të drejtën për distribuim, në anën tjetër Arena po thotë që e ka këtë autorizim”, tha Berisha.












