Hovenier përgënjeshtron Kurtin dhe Bislimin: Vendimi për dinarin ka ndikuar në marrëdhëniet tona

“Ka deklarata publike se partneriteti Kosovë-ShBA nuk është prekur apo nuk mund të preket nga kjo situatë. Më duhet të jem i qartë, se kjo nuk është e vërtetë, thjeshtë nuk është çështja aty. Siç e ka thënë Ndihmës-sekretari i Shtetit, James O’Brien, kjo situatë e ka prekur cilësinë e partneritetit midis dy qeverive tona”, […]
“Ka deklarata publike se partneriteti Kosovë-ShBA nuk është prekur apo nuk mund të preket nga kjo situatë. Më duhet të jem i qartë, se kjo nuk është e vërtetë, thjeshtë nuk është çështja aty. Siç e ka thënë Ndihmës-sekretari i Shtetit, James O’Brien, kjo situatë e ka prekur cilësinë e partneritetit midis dy qeverive tona”, tha ambasadori amerikan, Jeff Hovenier.
Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, ka thënë se vendimi i Kosovës për ta zbatuar vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës për ndalimin e dinarit serb, ka ndikuar në cilësinë e marrëdhënieve mes Shteteve të Bashkuara dhe Qeverisë së Kosovës
Hovenier tha se deklaratat e zyrtarëve amerikanë kanë qenë vazhdimisht të qarta se Kosova duhet ta shtyjë vendimin e zbatimit të rregullores.
Rregullorja e re e Bankës Qendrore të Kosovës – e cila përcakton që euroja të jetë valuta e vetme që mund të përdoret për pagesa me para të gatshme në gjithë vendin – hyri në fuqi më 1 shkurt.
“Ne kemi shpresuar se Qeveria e kryeministrit Albin Kurti do të angazhohej, siç bëjnë partnerët, për ta zgjidhur këtë çështje se bashku, në vend se të merren veprime në mënyrë të njëanshme… ne jemi të shqetësuar që Qeveria e Kurtit nuk e ka bërë këtë. Çfarëdo sugjerimi se gjërat janë në rregull, se ne të gjithë ne pajtohemi me njëri-tjetrin, nuk është aspak e vërtetë. Ne jemi të shqetësuar dhe të frustruar dhe mendoj se toni i ndihmëssekretarit O’Brien e pasqyron këtë shumë qartë”, tha Hovenier.
Deklaratat e ashpra të ambasadorit amerikan në Prishtinë vijnë një ditë pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tentoi t’i hedhë poshtë sugjerimet e ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit, James O’Brien, se Kosova po e rrezikon partneritetin me Shtetet e Bashkuara pas vendimit për ndalimin e dinarit serb.
“Republika e Kosovës nuk ka partner, aleat edhe mik të rëndësishëm sikurse Shtetet e Bashkuara, kështu e konsideroj dhe bashkëpunoj unë si kryeministër i Kosovës”, tha Kurti të mërkurën.
O’Brien paralajmëroi të martën se Shtetet e Bashkuara mund të mos e trajtojnë Kosovën si partnere, nëse ajo merr vendime pa u konsultuar me të, pas vendimit për ndalimin e dinarit serb.
“Unë nuk bëj kërcënime të vagëta publikisht. Unë do të thosha, nëse ne nuk trajtohemi si partnerë, edhe ne nuk do ta trajtojmë qeverinë e Kosovës si partnere”, tha O’Brien të martën.
“Megjithatë qeveria vazhdoi me zbatimin e tij pa paralajmërim dhe ka lënë një numër qytetarësh të vet të hutuar se si të paguajnë për bukën, qiranë dhe energjinë elektrike, të cilën disa prej tyre sapo kanë filluar ta paguajnë. Kjo nuk është formë e qeverisjes efektive. Jemi shumë të shqetësuar, pasi kjo tregon paaftësinë e qeverisë për t’i shërbyer qytetarëve të saj, por edhe për partneritetin”, deklaroi O’Brien.
“Jam i frustruar”: Ja si përgjigjet Hovenier nëse mund të ketë sanksione amerikane ndaj Kosovës











