Spektakli i VV-së me “rritjen ekonomike”: Mesatarja e periudhës 2009-2019 ishte më e lartë se projeksioni i 2023-shit

Që nga ardhja në pushtet, kryeministri Kurti në veçanti dhe eksponetë të tjerë të pushtetit janë angazhuar fortë në një gjë; paraqitjes së sa më shumë të dhënash dhe statistikash, duke krahasuar numrat me periudhën e qeverisjeve të mëparshme në Kosovë. Përpjekjet për të proklamuar një imazh pozitiv të qeverisjes së tyre në kontrast me […]
Viteve të fundit Kosova është përballur me një sërë sfidash në fushën e zhvillimit ekonomik. Ndikuar edhe nga situata post-pandemike e lufta në Ukrainë, Kosova, ndër vendet më deficitin më të madh tregtar e një ekonomi të euroizuar, iu ekspozua ndjeshëm krizës globale.
Me gjithë sfidat e shumta me inflacionin, stagnimin drastik të rritjes reale ekonomike gjatë vitit të kaluar, realizimin e ulët të investimeve kapitale dhe rëndimin e deficitit tregtar, “rritja ekonomike e Kosovës” ishte një nga “argumentet” e përdorura më së shpeshti nga qeveria Kurti.
Rritjet e pretenduara ekonomike
E formuar në vitin 2021, qeveria Kurti e gjeti një Kosovë post-pandemike me një rritje eksponenciale ekonomike.
Ndonëse krenohej në çdo paraqitje me të, Kurti nuk përmendi në asnjë rast se cilat ishin politikat konkrete të qeverisjes që çoi në këtë rritje.
Fakti se rritja ekonomike e vitit 2021, prej 10.7 për qind, nuk ishte rezultat i ndonjë mase të qeverisë Kurti u bë i qartë një vit më vonë, kur Kosova përjetoi një stagnim të thellë të rritjes reale ekonomike, që ra në rreth 3.5 për qind sipas FMN-së.
Në tremujorin e dytë të vitit 2022, rritja ekonomike e Kosovës u frenua në 2.1 për qind, duke shënuar nivelin më të ulët të rritjes që nga viti 2014 nëse përjashtojmë vitin 2020, kur ekonomitë botërore po përjetonin goditjen e një pandemie që iu shkaktoi shumë shteteve një kolaps të përkohshëm.
Në lidhje me projeksionet e rritjes ekonomike në vitin 2023, eksperti i ekonomisë, Edison Jakurti, përmes një sqarimi në Facebook, duke komentuar një artikull të “The Economist” për rritjen ekonomike, tha se rritja e parashikuar (3.7 për qind) nuk përbën asgjë të re pasi Kosova ka pasur një rritje të tillë në të kaluarën.
“Pra, u projektuan dy gjëra: (a) se rritja reale ekonomike e Kosovës do t’mund të jetë deri në 3.7% (shifra më e lartë e dhënë nga këto institucione) dhe (b) se kjo do të jetë më e larta në rajon. Çka do të thotë kjo? Asgjë e re. Asnjëra nga këto nuk është çka nuk kemi parë në të kaluarën”. – ka shkruar Jakurti.
Në fakt, Jakurti – duke iu referuar një tabele ilustruese të rritjes ekonomike ndër vite të vendeve të rajonit – ka treguar se në periudhën 2009-2019, rritja reale ekonomike e Kosovës ishte rreth 4.7 për qind, që në të njëjtën kohë e bën atë më të lartë me 27 për qind sesa parashikimi për vitin aktual.
“Nga Tabela 1 mund të shihet që, sipas të dhënave nga Banka Botërore, pas Shpalljes së Pavarësisë, në periudhën 2009-2019, mesatarja e rritjes reale ekonomike të Kosovës ka qenë rreth 4.7%. Për merakli të statistikave, kjo rritje është rreth 27% më e lartë se projeksioni më i mirë për vitin 2023.” – ka shkruar ai.













