Si e komentuan Krasniqi e Abdixhiku figurën e Dejona Mihalit

Dejona Mihali, koordinatore e fuqishme e komiteteve në Lëvizjen Vetëvendosje, tashmë është figurë e njohur për publikun kosovar. Emri i saj tani përfolet publikisht për shumë çështje dhe për të, më saktë ndikimin e saj, flasin deputetë, analistë, por edhe kryetar partishë. Me Mihalin, së fundmi, u morën edhe dy kryetarët e dy partive më […]
Dejona Mihali, koordinatore e fuqishme e komiteteve në Lëvizjen Vetëvendosje, tashmë është figurë e njohur për publikun kosovar. Emri i saj tani përfolet publikisht për shumë çështje dhe për të, më saktë ndikimin e saj, flasin deputetë, analistë, por edhe kryetar partishë. Me Mihalin, së fundmi, u morën edhe dy kryetarët e dy partive më të mëdha opozitare, pra z. Memli Krasniqi i PDK-së dhe z. Lumir Abdixhiku i LDK-së. Por çfarë thanë Memli e Lumiri?
Figurën e zonjës Mihali e komentoi sot kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, i cili ishte i ftuar në emisionin “Frontal” në T7. Derisa po fliste për koordinimin e pushtetit me Listën Serbe, që u kuptua nga publikimi i përgjimeve nga Nacionale, z. Krasniqi theksoi se Mihali realisht e udhëheq grupin parlamentar të VV-së. Sipas Krasniqit, formalisht grupin parlamentar e udhëheq Mimoza Kusari-Lila, por vendim i merr Mihali.
“S’është fshehtësi tashmë, Dejona Mihali udhëheq realisht grupin parlamentar të VV-së. Formalisht e udhëheq Mimoza Kusari-Lila, por vendimet, siç thuhet në Kuvend, siç thuhet fshehtësi publike tashmë dy vite, që vendimmarrëse realisht për Kuvend dhe për grupin e tyre parlamentar është Dejona Mihaili.” – theksoi ai.
Javën që shkoi me Mihalin u mor edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku. Gjatë një interviste në Rubikon të “Klan Kosovës”, Abdixhiku e komentoi rastin e “Klan Kosovës”, të cilës i është pezulluar certifikata e biznesit nga Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve. Megjithatë, Abdixhiku theksoi se revokimi i certifikatës së “Klan Kosovës” ishte bërë pas një shkrimi të Mihalit, duke e quajtur ketë këtë si orkestrim të pastër.
“Ta analizosh rastin e Klan Kosova është e qartë që ka një para-politikë që i papraprin vendimeve shtetare. Për ta ilustruar shumë thjeshtë, e ke Dejona Mihalin në mengjes, me një portal të partisë, teksa shtron akuzat ndaj Klan Kosovës dhe në mbrëmje e ke ministrinë përkatëse, që merr vendime sipas udhëzimeve të marra nga para-politika. Kjo është orkestrim i pastër. S’të duhet diçka më tepët të kuptosh.” – ka thënë Abdixhiku.
Ndryshe me Mihalin ishte marrë edhe sekretari i PDK-së, Betim Gjoshi, i cili e kishte quajtur aktivistën e VV-së nga Shqipëria si komuniste të qelbur.
“Dejona Mihali është një komuniste e qelbur, që Albin Kurti i ka dhënë mundësinë të sillet nëpër Kuvend e të nëpërkëmbë deputetët e paintegritet të VV-së, të cilët janë shndërruar në figura komike.Dejona Mihali, bashkë me Hysamedin Ferajn dhe Elvis Hoxhën, e të tjerë komunistë të fëlliqur nga Tirana, që atje askush nuk i merr seriozisht, po ia duan Kosovës një 97’të shkatërrimtare si të Shqipërisë. Gjuha e tyre, nxitë urrejtje, përçarje dhe mosdurim mes shqiptarëve, sidomos mes shqiptarëve të Kosovës.” – shkroi kohë më parë z. Gjoshi.
Ndryshe Mihali, përkundër që është bërë publik ndikimi i saj në VV, ende nuk ka dhënë asnjë intervistë për televizionet e Kosovës (hiç një intervistë të moçme në KTV). Ajo vazhdon të mos ketë biografi në uebfaqen e VV-së në internet, shkruan Nacionale.
Kujtojmë që ish-deputeti i VV-së, Haki Abazi, e kishte akuzuar Mihalin për bllokim të nismave të tij në Kuvend, duke e quajtur atë “mashë të Kurtit”.
“Unë e kam iniciuar krijimin e Komisionit për privatizim. Është bllokuar nga Dejona Mihali. Ajo është masha e kontrollit e Grupit Parlamentar të VV-së, duke mbivendosur mbi vullnet e çdo deputeti dhe pa legjitimitet. Mihali nuk ka qenë pjesë e votimeve, nuk ka qenë pjesë e garës së brendshme të VV-së, por është njeriu kryesor që kryeson, menaxhon dhe merr vendime brenda aty.” – thoshte Abazi.












