Pesë kompani në garë për projektimin e Teatrit të Operës dhe Baletit të Kosovës

Në fillim të muajit gusht 2021, Kuvendi i Kosovës themeloi institucionin e Operës së Kosovës. Që të jetësohet ky projekt gjërat kanë filluar të lëvizin, por po shkojnë ngadalë, shkruan Periskopi. Ministria e Kulturës ka hapur një tender më datë 28 tetor 2022, për projektin ideor, por i cili ende nuk është finalizuar. Tenderi i […]
Ministria e Kulturës ka hapur një tender më datë 28 tetor 2022, për projektin ideor, por i cili ende nuk është finalizuar.
Tenderi i cili peshon 2.5 milionë euro, decitivisht quhet :“Zhvillimi i dokumentacionit teknik- projektit ideor dhe të hollësishëm të arkitekturës dhe të inxhinierisë për ndërtimin e ‘Teatrit të Operës dhe Baletit të Kosovës’ në Prishtinë, në Republikën e Kosovës”.
Periskopi ka provuar të marrë një përgjigje nga Ministria e Kulturës për të mësuar se në cilën fazë është ky projekt, por ky institucion nuk ka kthyer përgjigje gjatë ditës së sotme.
Bazuar në të dhënat e publikuara në e-prokurim, shihet se ky proces është në realizmi e sipër.
Prokurimi ministrisë ka përdorur procedurë të kufizuar e cila është një procedure me dy faza, ku vetëm ata operatorë ekonomik të cilët i plotësojnë kërkesat minimale, në lidhje me aftësinë teknike dhe profesionale, dhe kapacitetet ekonomike dhe financiare për të kryer një projekt, ftohen në tender.
Pra, procesi i prokurimit do të kryhet në dy faza.
Siç ka parë Periskopi fazën e parë e kanë kaluar pesë kompani dhe të njëjtët janë ftuar për fazën e dytë:
1.”BIG Partners Ltd”. Kjo kompani është më seli në Londër
- “Snohetta Oslo AS”. Kjo kompani është në me seli në Oslo të Norvegjisë.
- “Consortium MVRDV”; “O.U.D.-ARCHITECTS” SH.P.K.. Pra siç shihet ky grup i operatorëve përbehet nga dy kompani, njëra Holandeze e tjera nga Kosova më pronar Bekim Ramku.
- “Gerber Architekten International GmbH”. Kjo kompani është nga Dortmundi i Gjermanisë.
- Grup i Operatorëve Ekonomik “Green Door” SH.P.K.; “Chapman Taylor LLP”; “Progetto CMR SRL”. Ky grup i operatorëve ekonomik përbehet nga tri kompani. E para nga Kosova. E dyta ndërkombëtarë me studio të hapura në disa shtete, dhe e treta “Progetto” me seli në Milano të Italisë.
Siç ka mësuar Periskopi, të gjitha këto kompani i kanë dërguar propozimet e tyre, para afatit kohor i cili ka përfunduar më 1 maj. Tash, procesi është në fazën e vlerësimit.
Më 3 gusht 2021, Kuvendi i Kosovës votoi propozim-vendimin e Qeverisë së Kosovës për Themelimin e Operës si institucion i shërbimit publik.
Duke folur para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, kryeministri Albin Kurti kishte thënë se Opera e Kosovës do të jetë funksionale dhe e gatshme për shfaqje brenda vitit 2022.
Kryeministri Kurti kishte thënë se do të rekrutohet stafi i cili fillimisht do të vendoset në një objekt tjetër deri në ndërtimin e Teatrit të Operës dhe Baletit.
Sipas Kurtit, pas vendimit të Kuvendit, ministria e Kulturës do të obligohet që të hartojë dokumentet për funksionalizim të operës si dhe identifikimin dhe angazhimin e kuadrove profesionale për trupat artistike.
Nëpër botë, institucionet e operës kanë numër të madh të stafit të përhershëm dhe të të angazhuarve.
Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor i Shqipërisë ka në përbërje të tij rreth 250 artistë, të cilët janë pjesë e orkestrës, korit, trupës së baletit, solistëve lirikë dhe Ansamblit Popullor. Ky institucion ka një traditë të gjatë të funksionimit dhe në vitin 2017 u anëtarësua me të drejta të plota në Opera Europa, organin më të lartë të operës evropiane.
Opera dhe Baleti Nacional në Maqedoni të Veriut, në uebfaqe ka të publikuar emrat e më shumë se 280 personave që janë pjesë apo bashkëpunëtorë të këtij institucioni.
Ndërkohë, Opera Shtetërore e Vjenës ka më shumë se 1,000 persona që punojnë apo janë të angazhuar në këtë institucion.
Vendimi për ndërtimin e Teatrit të Operës dhe Baletit, ishte marrë në vitin 2006 dhe lokacioni ishte caktuar afër Fakultetit Teknik në Prishtinë, por ky vendim prej asaj kohe është kundërshtuar nga një pjesë e udhëheqësve institucionalë si dhe një pjesë e komunitetit artistik.
Përfundimisht, Ministria e Kulturës, kishte hequr dorë nga ky lokacion, duke thënë se lokacioni i ri për ndërtimin e Teatrit të Operës do të caktohet në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës. Lokacioni që u nda është hapësira prapa Pallatit të Rinisë dhe Sporteve, që aktualisht shërben si parking. /Periskopi/












