IKShPK: Uji i Badocit, ende i pasigurt për pije – mund të përdoret për çdo veprimtari tjetër

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publikë të Kosovës (IKShPK), ka bërë të ditur se vlerat e manganit në ujin e pijes në Liqenin e Badocit ende nuk i përmbushin standardet e parapara të udhëzimit administrativ. Koordinatorja e qendrës së ujit në IKShPK, doktoresha Burbuqe Lushi, në një konferencë për media ka thënë se vlerat e manganit […]
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publikë të Kosovës (IKShPK), ka bërë të ditur se vlerat e manganit në ujin e pijes në Liqenin e Badocit ende nuk i përmbushin standardet e parapara të udhëzimit administrativ.
Koordinatorja e qendrës së ujit në IKShPK, doktoresha Burbuqe Lushi, në një konferencë për media ka thënë se vlerat e manganit në ujin e pijes nga Badoci janë duke rënë ditëve të fundit, por që ende nuk kanë rënë në vlerën të cilën është paraparë me udhëzim administrativ.
“Ky ujë mund të përdoret për çdo veprimtari tjetër ditore, higjienë personale, higjienë të mjedisit, përgatitje të ushqimit e të tjera”, tha Lushi, teksa shtoi se i njëjti nuk mund të përdoret ende për pije.
Sipas Lushit, mangani në vlera të ulëta është i nevojshëm për rritje dhe zhvillim, por që në vlera të larta ndikon kryesisht në sistemin nervor qendror.
“Mangani është një element kimik, apo ma mirë me thënë metal, i llogaritur apo i klasifikuar te metalet e rënda. Në anën tjetër i ka dy drejtime në ndikimet në shëndet. Si metal esencial, në vlera të ulëta, është i nevojshëm për rritje dhe zhvillim. Gjithkund ndodhet mangani. Edhe në ushqim, edhe në ajër, edhe në ujë. Është një prej metaleve më së shumti i shpërndarë në tokë. Vlerat prej 0.05 na orientojnë se nuk ka ndikim të dëmshëm në shëndet, mirëpo në anën tjetër ndikon në rritjen dhe zhvillimin tonë. Çdo vlerë që i tejkalon vlerat e parapame, si metal i rëndë shndërrohet në toksicitet, atakon kryesisht sistemin nervor qendror, mirëpo mund t’i prek edhe funksionet e tjera të organizimit”, ka thënë Nushi.
Doktoresha ka theksuar se uji nga resurset e liqenit Batllava si dhe uji nga liqeni i Ujmanit i plotëson kriteret e parapara për ujin e pijshëm.
Ndërkaq, drejtori i IKShPK-së, Naser Ramadani, ka thënë se ky institucion është në bashkëpunim të vazhdueshëm me KRU Prishtinën si dhe Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV).











