Vuçiq për bisedimet me Kosovën: Më mirë të negociojmë 100 vjet se të luftojmë 1 ditë

Presidenti i Serbisë, Aleksander Vucic, teksa ka folur në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për procesin e dialogut dhe raportet me Republikën e Kosovës, ka thënë se dialogu është e vetmja alternativë dhe dialogu drejt gjetjes së një marrëveshje duhet të vazhdojë edhe nëse zgjatë 100 vjet. Vuçiq ka thënë se më mirë të negociohet […]
Vuçiq ka thënë se më mirë të negociohet për 100 vjet sesa të luftohet për një ditë. Kreu i shtetit serb ka thënë se “kurrë nuk ëndërrojmë të kthehemi në shtigjet e konfliktit dhe gjakderdhjes”, shkruan RTS.
“Është një proces i vështirë, ka më shumë se dhjetë vjet që po vazhdon, por nuk shohim alternativë. Është më mirë të negociojmë për njëqind vjet sesa të luftojmë për një ditë. Jam i bindur se do të arrijmë një zgjidhje reciprokisht e pranueshme, e bazuar në kompromis, sepse kjo është absolutisht e vetmja mënyrë për të arritur qëllimin tonë, që është vendosja e paqes afatgjatë, si parakusht për një jetë të begatë për serbët dhe shqiptarët në rajonin tonë.Ne tashmë i kemi shteruar të gjitha opsione të tjera dhe, të paktën për sa i përket Serbisë, ne kurrë nuk ëndërrojmë të kthehemi në shtigjet e konfliktit dhe gjakderdhjes”, ka thënë Vuçiq.
Ai thotë se rajoni i Ballkanit nuk mund të përballojë një tjetër konflikt.
“Unë besoj se në këtë përpjekje do të kemi vullnetin dhe mirëkuptimin e partnerëve tanë ndërkombëtarë, sepse edhe ata e dinë shumë mirë se disa vendime të mëparshme të qeverive të tyre ishin të këqija dhe nuk funksionuan për të ardhmen e rajonit tonë dhe paqes botërore. Beogradi është duke e udhëhequr këtë proces në rrethana shumë komplekse në të cilat ka një luftë hibride dhe një fushatë të ndyrë nga ana e opinionit ndërkombëtar kundër vendit tonë në fusha të ndryshme.Mjafton t’ju kujtojmë citimet dhe deklaratat e mediave botërore se Serbia do sulmojnë fqinjët e saj dhe se kjo paraqet kërcënim për stabilitetin rajonal, sigurisht që nuk ka ndodhur kurrë, dhe ishte vetëm një në vargun e gënjeshtrave të shumta kundër Republikës së Serbisë”, ka shtuar ndër të tjera presidenti i Serbisë.











