Kurti I ndryshe prej Kurtit II: Pse Kryeministri s’e konsideron më aktakuzën problem?

Në Qeverinë Kurti 1, Nenad Rashiq, ish-këshilltar i Albin Kurtit dhe njëherësh ish-drejtor i Zyrës për Komunitete në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, kishte dhënë dorëheqje nga këto pozita pas ngritjes së aktakuzës ndaj tij. Ndërsa, tash në Qeverinë Kurti 2, vetë kryeministri Kurti e ka emëruar Ministër të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn […]
Në Qeverinë Kurti 1, Nenad Rashiq, ish-këshilltar i Albin Kurtit dhe njëherësh ish-drejtor i Zyrës për Komunitete në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, kishte dhënë dorëheqje nga këto pozita pas ngritjes së aktakuzës ndaj tij.
Ndërsa, tash në Qeverinë Kurti 2, vetë kryeministri Kurti e ka emëruar Ministër të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliun, i cili u bë e ditur se ka aktakuzë të ngritur për keqpërdorim të detyrës zyrtare, sa ishte drejtor i Drejtorisë së Urbanizmit në Komunën e Prishtinës.
Aliu ka reaguar dje pas lajmeve se ka aktakuzë, duke thënë se për herë të parë po dëgjon nga mediat për aktakuzën. Por, ai u demantua menjëherë nga Prokuroria e Prishtinës, e cila zyrtarisht konfirmoi se ka aktakuzë ndaj tij.
Prokuroria ka bërë të ditur se më 23 prill të vitit 2018 ka pranuar kallëzim penal ndaj personave me inicialet: L.A., A.O., Z.R., N.K., B.U., M.B., në atë kohë zyrtarë të Komunës së Prishtinës, në drejtim të veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Madje, prokuroria ka konfirmuar se më 05 gusht 2019, Liburn Aliu ishte intervistuar dhe se të njëjtën aktakuzë e kanë proceduar në gjykatën kompetente për procedim të mëtejmë.
Edhe pse në rastin e dorëheqjes së ish-këshilltarit të tij, Nenad Rashiq, Kurti kishte dalë edhe në konferencë për media me të për ta bërë publike dorëheqjen, në rastin e ministrit të sapoemëruar, ai sot iu shmang edhe pyetjeve të gazetarëve rreth kësaj çështjeje.












