Hamami i Madh: Shpend Ahmeti i thotë Blerim Latifit të mbajë ligjërata aty

Shpend Ahmeti i është kundërpërgjigjur profesorit Blerim Latifi për restaurimin e objektit të hamamit të Prishtinës. Nuk përmend se ai do të mbajë emër të pushtuesit, ndërsa e fton profesorin të mbajë ligjërata aty, sepse, sipas Ahmetit, do të jetë hapësirë publike. Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ditën e djeshme ka nënshkruar memorandum […]
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ditën e djeshme ka nënshkruar memorandum të bashkëpunimit me Agjencinë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) lidhur me realizimin e projektit të restaurimit të Hamamit të Madh në Prishtinë. Kjo marrëveshje ka ngjallur reagime në opinion. Ka reaguar dhe profesori i Filozofisë, Blerim Latifi.
Sipas Latifit, komuna e Prishtinës po e kthen në muze të Sulltan Mehmetit II, duke e përshkruar atë si armikun numër 1 të Skënderbeut.
Ahmeti thotë objekti emrin do ta ketë “Hamami i madh”, ashtu siç e ka, ndërsa tregon se ai do të jetë hapësirë publike e hapur për evenimente, konferenca, ligjërata dhe debate. Thotë se edhe profesori Latifi do të mund të mbajë ligjëratat e tij aty.
“Hamami i Madh siç e ka emrin edhe do ta ketë… do të jetë hapësirë publike e hapur për evenimente, konferenca, ligjërata dhe debate ku edhe profesori i nderuar Latifi do të mund të mbajë ligjëratat e tij. Komuna nuk shkruan e as nuk ndërron histori. E as që merret me atë punë. Ne kemi detyrë të ofrojmë hapësira, të mbrojmë trashëgiminë kulturore e mbrojmë interesat e qytetit tonë. Politikat e jashtme ja lëmë nivelit qendror dhe ekspertëve si prof. Latifi”, shtoi ai.
Sipas kryetarit të Prishtinës, kjo temë është inekzistente dhe nuk mund të jetë pjesë e debateve të tilla.
“Kjo është teme inekzistente për ne si Komunë. Hamami i Madh është objekt i ndërtuar në shekullin e XV në kohën e perandorisë osmane dhe është objekt i trashëgimisë kulturore i mbrojtur me ligj. Në vitin 2014 e kemi shpëtuar nga shkatërrimi dhe qe disa vite punojmë në projektin e restaurimit”, tha ai.
“Prandaj, nuk mund të jemi pjesë e debateve inekzistente për tensione të tilla. Nuk mund të shtrembërohet as qëllimi ynë si komunë. E më së paku historia”, shton ai.
Latifi ka akuzuar Komunën e Prishtinës se asnjëherë nuk pati para për të ngritur një shtatore të Adem Jasharit e as për të bërë një muze të viktimave të gjenocidit serb mbi shqiptarët gjatë shekullit XX.











