Osmani e lidh me një reagim rastin e veturës së Bajqinovcit me djalin e Rashiqit

U.d. Presidentja Vjosa Osmani ka reaguar pas sulmit ndaj djalit të politikanit Nenad Rashiq duke e cilësuar si akt kundër demokracisë dhe lirisë së individit. Në reagimin e njëjtë, Osmani bëri thirrje edhe për hetime ndaj rastit të djegies së veturës së kandidatit të Vetëvendosjes, Mefail Bajqinovci. “Ftoj organet e rendit që sa më shpejtë […]
“Ftoj organet e rendit që sa më shpejtë t’i sjellin para drejtësisë autorët e krimit. Është tashmë e qartë që sulmi ndaj tij është në vazhdën e kërcënimeve të shumta e ndërhyrjeve ilegale të Serbisë në Kosovë, që kanë për qëllim frikësimin e qytetarëve serbë”, ka theksuar Osmani në reagimin e saj.
Osmani po ashtu ka bërë thirrje që të hetohet rasti i djegies së veturës së deputetit Mefail Bajqinovci. “Shteti ynë do ta bëjë të pamundshmen që secili qytetar i tij të ndihet i lirë për të vepruar politikisht dhe për të shprehur qëndrimet e veta politike”.
Ndërkohë për djegien ka folur edhe vet Bajqinovci.
“Sonte rreth orës 18:30 më është djegur vetura dhe kjo ka ndodhur menjëherë pas ndezjes, për fat të mirë para se të merr flakë automjeti, kam arritur të dal. I falënderoj policinë dhe zjarrfikësit për ndërhyrjen”, kishte reaguar Bajqinovci pas djegies.
Ndërkohë, nga policia e Kosovës kanë dhënë detaje për rastin e Bajqinovcit duke thënë se po hetohet rasti.
“Viktimat meshkuj kosovarë kanë informuar se në rrethana të pa njohur në zjarr u janë përfshirë dy veturat e tyre, të cilat ishin të parkuara. Zjarrfikësit kanë shuar zjarrin. Njëra nga veturat është konfiskuar për ekzaminim të mëtutjeshëm. Rasti është duke u hetuar”, thuhet në raportin e policisë.












