Burjani: Qasja e Kurtit për dialog e rrezikshme – Pa paqe s’ka zhvillim

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, pas fitores në zgjedhjet e 14 shkurtit ka folur edhe për prioritetet që do të ketë qeveria e udhëhequr prej tij. E ndër to, Kurti ka thënë se nuk e ka prioritet dialogun me Serbinë, duke rënë në “kundërshtim” me kërkesat e miqve ndërkombëtar për rifillim të shpejtë të […]
E ndër to, Kurti ka thënë se nuk e ka prioritet dialogun me Serbinë, duke rënë në “kundërshtim” me kërkesat e miqve ndërkombëtar për rifillim të shpejtë të negociatave.
Njohësi i çështjeve politike, Blerim Burjani, në një prononcim për Periskopin ka thënë se paqja regjionale dhe ndërkombëtare është prioritet i botës dhe mohimi i prioriteteve ndërkombëtare, ka thënë se mund të jetë e dëmshme.
“Deshëm apo nuk deshëm, edhe për Kosovën paqja është më e rëndësishme se çdo gjë tjetër. Pa paqe nuk ka zhvillim ekonomik, ose ka zhvillim ekonomik dhe shkatërrim me luftë, pra paqja ka rëndësi po aq sa kanë rëndësi fjalët e miqve tanë ndërkombëtar, SHBA dhe BE”, ka thënë Burjani.
Ai ka deklaruar se qasja aktuale e Vetëvendosjes është mjaft konfuze, e pasigurt dhe mjaft e paqartë.
“Ne si shtet nuk vendosim prioritetet ndërkombëtare por ne jemi pjesë e prioriteteve ndërkombëtare siç është paqja. Ne jemi pjesë e rendit ndërkombëtar pra ky që është, tjetër rend nuk mund të bëjmë ne si shtet i vogël, por problematik për rajonin. Nuk mund të iket nga prioriteti ndërkombëtar siç është vendosja e sigurisë dhe qëndrueshmërisë së rendit ndërkombëtar”, ka thënë Burjani.
Burjani ka thënë se qasja e VV-së për të bërë një herë dialog të brendshëm me serbët e Kosovës dhe pastaj me Serbinë, nuk është në harmoni me kërkesat ndërkombëtare.
“Tash përpjekja për t’iu shmang prioritetit ndërkombëtar në raport me teket e kujtdo qoftë është problematik. Kurti duhet të emërojë një dialogues që duhet të jetë i përgatitur mirë dhe të vendos balancë në trajtim të temave me Serbinë. Personi duhet të ketë përvojë, kredibilitet profesional dhe të jetë diplomat i mirë, i shkathët dhe kreativ në propozime efikase që shkojnë në favor të Kosovës, por edhe të rendit ndërkombëtar pa marrë parasysh se çfarë qasje do të ketë Sebria apo do të ndryshojë gjë. Duhet të iket nga dialogu i brendshëm me serbët lokal sepse ata favorizohen më shumë dhe kërkesat më lehtë i arrijnë serbët lokal se Serbia”, ka deklaruar Burjani.
Ai ka thënë se nëse dialogu zhvillohet me Serbinë, atëherë do të ketë dialog mes dy vendeve, në mënyrë që Kosova të ketë mundësi të ndërtojë mekanizëm vlerësues dhe jetësor edhe për shqiptarët në Luginë.
Sipas Burjanit, reciprociteti politik i trajtimeve të temave duhet të jetë i fundit, ndërsa i pari duhet të jetë platforma civile politike për serbët që sipas Burjanit është pothuajse e kryer deri në fund nga plani i Ahtisaarit. /Periskopi/












