Publikohen pamje nga rrënimi i kazinove në Karaçevë

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka publikuar pamje nga aksioni i policisë në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore të Gjilanit dhe Komunën e Kamenicës, nga rrënimi i kazinove ilegale të ndërtuara në këtë zonë. Ky aksion është quajtur i suksesshëm nga ministri Sveçla, teksa ka thënë se sot është goditur rrjeti i kazinove ilegale […]
Ky aksion është quajtur i suksesshëm nga ministri Sveçla, teksa ka thënë se sot është goditur rrjeti i kazinove ilegale në Karaçevë.
“Edhe një aksion i suksesshëm i Policisë së Kosovës.
Në bashkëpunim dhe koordinim me Prokurorinë Themelore në Gjilan dhe me autoritet komunale të Dardanës sot u godit rrjeti i kazinove ilegale në zonën e fshatit Karaqevë.
Pas konfiskimit të aparatave për lojërat e bixhozit, u rrënuan objektet e ndërtuara ilegale si dhe arrestimet e personave të përfshirë në këtë aktivitet kriminal po vazhdojnë edhe në këto momente”, shkruan Sveçla në Facebook.
Policia e Kosovës ka konfirmuar aksionin që po zhvillohet në Komunën e Kamenicës si dhe është njoftuar për arrestimin e disa personave të përfshirë në veprimtari ilegale.
Aksione të Policisë së Kosovës kundër dukurive ilegale në Karaçevë ka pasur edhe në të kaluarën, por që sërish kanë nisur të lulëzojnë kazinot.
Muajin e kaluar Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti Përgjithshëm, ka ngritur aktakuzë kundër 73 personave lidhur me rastin ‘Karaçeva’, në mesin e tyre ka edhe zyrtarë policorë.















