Pamje se si fermeri nga Skenderaj derdh 4 mijë litra qumësht

Një prodhues qumështi në Klinë të Epërme të Skenderajt, si shenjë pakënaqësie ndaj Qeverisë së Kosovës, ka derdhur sot 4 mijë litra qumësht. Ai thotë se Qeveria nuk po ndërmerr hapa konkret për sektorin e qumështit Ani pse kryeministri i vendit, Avdullah Hoti dhe ministri i Bujqësisë e Zhvillimit Rural, Besian Mustafa, janë takuar sot […]
Ani pse kryeministri i vendit, Avdullah Hoti dhe ministri i Bujqësisë e Zhvillimit Rural, Besian Mustafa, janë takuar sot me prodhuesit e qumështit, të cilëve iu premtuan përkrahje, një prodhues ka derdhur sot 4 mijë litra qumësht.
Ibrahim Bajraktari ka thënë për Express se këtë e ka bërë pasi Qeveria s’po ndërmerr hapa konkret për sektorin e qumështit.
“Kjo është e dhimbshme pasi Qeveria e Kosovës nuk po merr hapa konkret për sektorin e qumështit. E vetmja mundësi është që Qeveria Kosovës të ua marrë stoqet qumështoreve për të dalë nga kjo krizë tjetër rrugëdalje nuk ka”, ka thënë Bajraktari.
Ndërkohë, kryeministri sot ka premtuar përkrahje për prodhuesit e qumështit.
Ai tha se Qeveria është e gatshme për ta ndihmuar këtë sektor brenda mundësive ligjore dhe financiare.
“Qeveria e Kosovës është duke punuar me përkushtim për mbështetjen e sektorit privat dhe të prodhuesve vendës dhe përmes ministrive të linjës do të gjenden mënyra të përshtatshme për përballimin dhe tejkalimin e sfidave, me të cilat po përballen prodhuesit tanë, duke përfshirë edhe prodhuesit e qumështit”, ka thënë Hoti.











