Dyshime në procesin e FFK-së që mund t’i japë të drejtat televizive kompanisë së Devollëve

Klubet e Superligës së Kosovës në futboll kanë mbetur vetëm spektatorë në procesin e shitjes së drejtave televizive të kampionatit të ri që nis më 12 shtator nga ana e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), ndonëse klubet natyrisht se janë akterët kryesorë në futbollin kosovar. Këto ditë u raportua se Artmotion ishte në garë […]
Klubet e Superligës së Kosovës në futboll kanë mbetur vetëm spektatorë në procesin e shitjes së drejtave televizive të kampionatit të ri që nis më 12 shtator nga ana e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), ndonëse klubet natyrisht se janë akterët kryesorë në futbollin kosovar.
Këto ditë u raportua se Artmotion ishte në garë për të fituar të drejtat e transmetimit të ndeshjeve të FFK-së.
Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) e kishte hapur tenderin më 5 gusht. Kompanitë mediale kishin afat deri më 12 gusht të konkurronin. Por, fituesi nuk është shpallur as disa javë pas mbylljes së afatit të tenderimit.
Express ka mësuar se një komision i FFK-së e ka përgatitur një raport nga ky proces, përmes së cilit e rekomandon Komitetin Ekzekutiv të FFK-së që ta shpall “Artmotion” fitues të transmetimit të kampionatit të ri.
Po ashtu, ofertat financiare janë mbajtur të fshehta për disa ditë. Ndërsa, praktikat dhe ligjet në Kosovës i obligojnë instucionet që ofertat financiare me i çelë në prezencë të palëve. Dhe, kjo i shton dyshimet mbi korrektësinë e këtij procesi.
Ballkani është bërë njëri prej klubeve më atraktive në Superligën e Kosovës në futboll falë investimeve të mëdha të prijësve të tij. Por, drejtuesit e klubit nga Suhareka po dyshojnë në këtë proces, ndërsa konfirmojnë se nuk janë informuar për asgjë që ka pasur të bëjë me procesin.
“I kemi vërejtjet tona në këtë proces ku nuk ka pasur transparencë. Ofertat nuk janë hapur si duhet. Pastaj, konsideroj se nuk është dashtë të ketë kufizime se kush mund të konkurojë, e kush nuk mund të konkurojë. Eshtë dashtë t’u jepet mundësia të konkurrojnë të gjithë të interesuarit, qofshin ato kompani edhe të jashtme nga Kosova, sepse kështu ndoshta do të kishte ofertues edhe më të madh dhe klubet do të përfitonin më shumë. Ne po presim informata, takim, dhe varësisht se si vendosin shumica e klubeve do të veprojmë edhe ne”, tha për Gazetën Express njëri prej investitorëve më të mëdhenj aktualisht në futbollin kosovar, presidenti i Ballkanit, Arsim Kabashi.
Rreth këtij tenderi kishin reaguar edhe Trepça 89 me Dritën.












