Mourinho: ‘Dështim që PSG nuk e ka fituar tashmë Ligën e Kampionëve’ – ka një argument të fortë për këtë

Jose Mourinho thotë se është një dështim, që PSG nuk e ka fituar tashmë Ligën e Kampionëve, referuar shumës së parave që ka shpenzuar për blerje yjesh gjatë dekadës së fundit. Parizienët siguruan finalen e tyre të parë në Champions, duke mposhtur RB Leipzig 3-0 në gjysmëfinalen e së martës në “Estadio da Luz”. Tashmë […]
Jose Mourinho thotë se është një dështim, që PSG nuk e ka fituar tashmë Ligën e Kampionëve, referuar shumës së parave që ka shpenzuar për blerje yjesh gjatë dekadës së fundit. Parizienët siguruan finalen e tyre të parë në Champions, duke mposhtur RB Leipzig 3-0 në gjysmëfinalen e së martës në “Estadio da Luz”. Tashmë do të kenë punë me pesë herë fituesit e këtij kompeticioni, Bayern Munich, të dielën.
Që nga blerja e klubit prej “Qatar Sports Investments”, më 2011, PSG ka dalë si forca mbizotëruese në futbollin francez, por suksesi në skenën europiane ka rezultuar i pakapshëm. Kampionët dominues të Ligue 1 nuk kishin shkuar përtej çerekfinales së Champions-it, para këtij sezoni, me paraqitjen e tyre më të mirë në sezonin 1994-1995, kur arritën në gjysmëfinalen. Edhe pse Mourinho pranon madhështinë e lojtarëve aktualë të Tuchel, ai beson se i është dashur shumë kohë që klubi të arrijë në skenën më të madhe të Europës.
I pyetur nëse sezoni i PSG duhet të vlerësohet si i dështuar, nëse nuk fiton Ligën e Kampionëve, trajneri i Tottenham, i cili e ngriti trofeun te Porto dhe Interi, tha për DAZN: “Unë mendoj se është një dështim, që ata nuk e fituan Champions-in në dy sezonet më parë. Në pesë apo gjashtë vite investimi i pronarëve ka qenë i çmendur, lista e lojtarëve më të mirë që është atje është e pabesueshme. Prej sa sezonesh është Thiago Silva atje, Marquinho dhe pastaj të gjithë lojtarët e mëdhenj si Ibra, Cavani, Neymar, Mbappe?!
Është, natyrisht, ëndrra e tyre e realizuar që të mbërrijnë për herë të parë në një finale të tillë, por ato futbollistë që përmenda duhej ta kishin bërë më parë. Edhe pse mendoj se si ekip nuk kanë asgjë nga bota tjetër, këto lojtarë janë nga një botë tjetër. Në këto momente, ata po lulëzojnë. Kësisoji, do të thoja që Bayerni, pavarësisht se është me të vërtetë i fortë si ekip, me disa lojtarë të veçantë, duhet të bëjë kujdes. PSG mund t’i dëmtojë bavarezët”.












