Vdekjet e 48 orëve të fundit, zyrtari i MSH’së: S’patëm kohë për të dhënë detaje për viktimat

Katër persona kanë vdekur mëngjesin e hershëm të së dielës në Klinikën Infektive, ndërkaq edhe pesë viktima të tjera nga koronavirusi janë shënuar gjatë ditës. Për këtë Prokuroria Themelore në Prishtinë ka nisur hetimet, pas dyshimeve se ka pasur defekt në furnizim me oksigjen. Madje, me vendim të prokurorit, trupave të pajetë do t’u bëhet […]
Ministria e Shëndetësisë nuk kishte dhënë detaje rreth rrethanave të vdekjes së këtyre personave. Përmes një reagimi për media, MSH-ja kishte bërë thirrje të priten rezultatet e hetimeve nga institucionet përgjegjëse.
Në anën tjetër, IKShPK mbrëmë kishte njoftuar për gjithsej 75 raste të vdekjes, që nënkuptonin nëntë viktima gjatë ditës.
Të hënën, zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti bëri të ditur se katër persona kanë vdekur mëngjesin e hershëm, ndërsa pesë të tjerë gjatë së dielës.
“Numri i përgjithshëm i të raportuarve si të vdekur është 75… Të dhënat është shumë e thjeshtë që nxirren në orët e hershme të mëngjesit ka pasur 4, dhe gjatë ditës kanë ‘dalë’ edhe pesë pacientë të tjerë dhe është ai numër që ka prezantuar raporti Instituti i Shëndetit Publik, pra janë nëntë pacientë”, deklaroi Hoti.
Për dallim nga herët e kaluara, nuk ishte raportuar as për moshën e personave që vdiqën dje. Një gjë të tillë zëdhënësi Hoti e arsyen me faktin se koha e mbledhjes së informacionit ka qenë e shkurtë.
“Është krejt ndryshe të raportohet një rast individual, e krejt ndryshe të raportohet në raste më të mëdha në numra. E keni parë edhe në shtetet tjera kur ka raste më shumë, atëherë edhe koha e mbledhjes së informacionit është më e shkurt dhe raportohen si numra të përgjithshëm”, tha Hoti.
Ai u ka bërë thirrje qytetarëve dhe institucioneve të tjera që të jenë të përmbajtur në deklarata, për çka thotë se njerëzit kompetentë të QKUK-së i kanë versionet e tyre.











