US Open nuk ndalohet, zhvillohet pa fansa dhe nën masa të rrepta sigurie

Turneu i Madh i Shteteve të Bashkuara US Open do të mbahet rregullisht sipas kalendarit të planifikuar, por pa praninë e spektatorëve. Grand Slam-i i tenisit do të zhvillohet kështu pikërisht në datat e përcaktuara në Flushing Meadows, por me dyer të mbyllura dhe nën një regjim të fortë masash shtrënguese. Lajmi u bë zyrtar […]
Turneu i Madh i Shteteve të Bashkuara US Open do të mbahet rregullisht sipas kalendarit të planifikuar, por pa praninë e spektatorëve. Grand Slam-i i tenisit do të zhvillohet kështu pikërisht në datat e përcaktuara në Flushing Meadows, por me dyer të mbyllura dhe nën një regjim të fortë masash shtrënguese.
Lajmi u bë zyrtar pas bisedimeve me guvernatorin e New York-ut Andrew Cuomo, që dha më në fund aprovimin e tij për zhvillimin e edicionit të sivjteshëm, për më tepër një vit jubilar, pasi bëhet fjalë për edicionin e 140 të turneut të madh US Open.
Sezonin e kaluar gjithçka ishte ndryshe dhe Rafael Nadal ia doli mbanë për të mposhtur në Stadiumin Arthur Ashe 6-4 në setin final rusin Daniil Medvedev, pas një beteje që zgjati plot 5 orë.
Turneu i sivjetshëm njujorkez do të mbahet sipas datave të programuara, pra nga 31 gushti deri më 13 shtator, në Kompleksin Flushing Meadows – Corona Park në Queens, më saktë në Qendrën Tenistike Kombëtare të Federatës së Shteteve të Bashkuara, që mban emrin e sportistes legjendare amerikane, Billie Jean King.
Tenistëve iu është plotësuar kushti i lëvizjes së lirë, bashkë me pjesëtarët e tjerë të stafit, sidoqoftë duke marrë në konsideratë deklaratat e shumta gjatë këtyre kohëve jo të gjithë tenistët apo tenistet do të marrin pjesë, për shkak të frikës së përhapjes së pandemisë së koronavirusit.

Vetëm ditën e martë në Shtetet e Bashkuara u regjistruan 25.450 raste, ndërsa 849 vetë humbën jetën si pasojë e virusit COVID-19. Shtetet e Bashkuara kanë më shumë se çerekun e rasteve që janë regjistruar në gjithë globin, plot 2.2 milionë raste infektimi, prej të cilëve 119.000 kanë rezultuar fatale, kështu që frika e tenistëve është e kuptueshme dhe plotësisht e justifikueshme, për më tepër sezoni në këtë sport është ndërprerë që në ditët e para të muajit mars dhe pritet të rifillojë në fillimin e muajit gusht.
Duke patur parasysh rrethanat si dhe gjendjen e jashtëzakonshme, pas bisedimeve me Guvernatorin Andrew Cuomo këtë herë organizatorët kanë vendosur që edicioni i sivjetshëm në US Open të mos ketë fare ndeshje kualifikuese, por gjithashtu këtë radhë në New York nuk do të ketë më sfida në “mixed doubles”, pra ndeshje në lojën dyshe ku luajnë femra dhe meshkuj bashkë. Drejtuesi i Federatës së Tenisit në Shtetet e Bashkuara Mike Doëse deklaroi se pjesëmarrësit kanë një rast shumë të mirë për të provuar se tenisi është pikërisht sporti i duhur për të respektuar masat e distancimit social. Organizatorët kanë bërë të ditura në rrjetet sociale masat e forta që do të merren si dhe plani i sigurisë që duhet respektuar nga tenistët pjesëmarrës.
Sportistët që do të udhëtojnë drejt New York-ut do të kenë në dispozicion nga dy dhoma, në një hotel të përzgjedhur jashtë Zonës së Manhattan-it. Nuk do të lejohet qëndrimi i më shumë se dy personave në të njëjtën dhomë, gjithsesi tenistëve iu lejohet gjithashtu edhe mundësia për të marrë me qira një apartament apo shtëpi private përsëri jashtë Zonës së Manhattan-it, ambiente që kuptohet do të paguhen me shpenzimet e tyre. Lojtarët nuk janë të detyruar për t’iu nënshtruar patjetër regjimit të karantinimit, në momentin e hyrjes në territorin e Shteteve të Bashkuara, por sidoqoftë ata do të testohen përpara se të fillojnë aventurën e tyre në Flushing Meadows.
Testimet do të kryhen një ose dy herë në javë për gjithë periudhën e tyre të qëndrimit dhe sportistëve do t’u matet gjithashtu përditë edhe temperatura. Çdo njeriu të pranishëm, përveç tenistëve që luajnë në fushë apo stërviten në ambientet përreth iu kërkohet pajisja e detyrueshme me maskë. Do të përgjysmohet numri i sportistëve pjesëmarrës në lojën dyshe si te meshkujt ashtu edhe te femrat, nga 64 në 32.












