Indeksonline: Ademi i FFK-së po provon ta shmang burgun me probleme shëndetësore

Pikërisht sot më 18 qershor, kryetari i FFK-së Agim Ademi e ka pasur afatin e fundit të paraqitet në Shërbimin Korrektues të Kosovës për të vuajtur dënimin me burg prej 9 muajsh. Ademi ishte shpallur fajtor nga dy shkallë të gjykatës pasi i njejti kishte dëmtuar një person në vlerë prej 30.000 euro ose një […]
Ademi ishte shpallur fajtor nga dy shkallë të gjykatës pasi i njejti kishte dëmtuar një person në vlerë prej 30.000 euro ose një BMW X5 derisa po provonte t’i ndërronte statusin një ngastre toke në mënyrë që të kryente ndërtime.
Portali Indesksonline mëson se Ademi nuk është paraqitur në Burg dhe si duket po e shfrytëzon një mundësi të fundit për ta shmangur ose shtyrë dënimin.
Burime brenda FFK-së bëjnë të ditur se kryetari i shtëpisë së futbollit të Kosovës do të shfrytëzoj disa probleme shëndetësore si shkas për ta vonuar ekzekutimin e dënimit.
Redaksia e këtij portali ka kontaktuar Shërbimin Korrektues të Kosovës për ta pytur në lidhje me mundësinë që Ademi t’i shmanget dënimit.
“Ju informoj se dispozitat e Ligjit për Ekzekutimin e Sanksioneve penale parashohin mundësin e shtyrjes së ekzekutimit të dënimit, sipas lutjes së personit të dënuar dhe kritereve të përcaktuara, për të cilin vendos Kryetari i Gjykatës kompetente Themelore”, ka thënë SHKK për Indeksonline.
Nëse kreut të FFK-së nuk i është dhënë leje për të mos u paraqitur në burg, atëherë do të lëshohet fletë arrest për të.
“Sipas dispozitave të Ligjit Nr.04/l-149 për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale, gjykata kompetente e urdhëron me shkrim personin e dënuar që në ditën e caktuar të paraqitet në institucionin korrektues për mbajtjen e dënimit me burgim, ose me burgim të përjetshëm”.
“Gjykata kompetente e informon institucionin korrektues për datën kur personi i dënuar duhet të paraqitet në institucion dhe ia dorëzon vendimin e formës së prerë së bashku me të dhënat personale për personin e dënuar të cilat janë mbledhur gjatë procedurës penale”.
“Institucioni korrektues e informon gjykatën kompetente se a është paraqitur personi i dënuar për mbajtjen e dënimit, (Gjykatat Kompetente njoftohen për të gjitha rastet kur personi i dënuar nuk paraqiten në mbajtje të dënimit në datën e caktuar) pas njoftimit të Gjykatës për mos paraqitjen e të dënuarit, Institucioni Korrektues të njëjtin e fut në listën e pritjes për ekzekutim të dënimit”, ka thënë Shërbimi Korrektues i Kosovës.
Në momentin kur u është prerë vendimi, Agim Ademi është dashur të japë dorëheqje nga posti I kreut të FFK-së, pasi statute nuk e lejon që një person I dënuar të mbaj pozitë drejtuese në Federatë.
Ademi sot u pa në një takim edhe me të birin e ministrit të Punëve të Brendshme, z.Shkumbin Veliu.












