Shtyhet ndeshja Juventus – Napoli, ja detajet

Napoli nuk udhëtoi drejt Torinos për të luajtur ndeshjen ndaj Juventusit, e planifikuar për mbrëmjen e sotme, megjithatë duket se do ta humbë këtë takim në tavolinë, pasi Liga e Serisë A vendosi të mos e shtyjë ndeshjen. Klubi napolitan ka deklaruar dy futbollistë pozitivë nga testet e deritanishme, Zielinski dhe Elmas, dhe ka pretenduar […]
Napoli nuk udhëtoi drejt Torinos për të luajtur ndeshjen ndaj Juventusit, e planifikuar për mbrëmjen e sotme, megjithatë duket se do ta humbë këtë takim në tavolinë, pasi Liga e Serisë A vendosi të mos e shtyjë ndeshjen.
Klubi napolitan ka deklaruar dy futbollistë pozitivë nga testet e deritanishme, Zielinski dhe Elmas, dhe ka pretenduar se ASL (Zyra Shëndetësore Rajonale) nuk e ka lejuar të udhëtojë drejt Torinos, por ka rekomanduar që lojtarët dhe stafi të futen në izolim.
Së fundi ka reaguar me një letër edhe presidenti i Napolit, Aurelio De Laurentiis, që ka arsyetuar se ka qenë ASL-ja që ka bllokuar fluturimin drejt Torinos dhe se Liga duhet të shtyjë ndeshjen.
“Ne nuk mund të udhëtonim drejt Torinos, pasi ASL-ja mori në konsideratë protokollin, por arsyetoi se nuk mund të garantohet izolimi i lojtarëve në rajonin e Piemontes. Ne kemi dokumentet e autoriteteve shëndetësore, që nuk na autorizojnë udhëtimin drejt Torinos, ndaj përballë këtyre provave, kërkojmë shtyrjen e ndeshjes me Juventusin”, thuhet ndër të tjera në letrën e De Laurentiis.
Megjithatë ndeshja mes Juventusit dhe Napolit nuk do të mbyllet sonte, pasi edhe pse pritet që bardhezinjtë të marrin fitoren 3-0 në tavolinë, drejtuesit e të kaltërve po përgatiten për ta apeluar çështjen, të bindur se do të gjejnë të drejtën.












