Sqarim për Arbër Zaimin e Vetëvendosjes: Pse Periskopi interpretoi gabimisht?

Anëtari i Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Zaimi, ka bërë sërish një status në Facebook e në të cilin ka përmendur edhe Periskopin. Periskopi më herët bëri një artikull bazuar në një status tjetër të z.Zaimi, e të cilin e interpretoi si goditje ndaj LDK-së. Zaimi shkruante se “Nuk është e mundur të bashkëpunosh pozitivisht […]
Periskopi më herët bëri një artikull bazuar në një status tjetër të z.Zaimi, e të cilin e interpretoi si goditje ndaj LDK-së.
Zaimi shkruante se “Nuk është e mundur të bashkëpunosh pozitivisht me dikë që nuk është penduar dhe nuk ndjen përgjegjësi për krimet që i ka shkaktuar apo lejuar në të shkuarën.”
Portali ynë ndjen keqardhje që nuk ka kuptuar saktësisht fjalët e z.Zaimi. Sidoqoftë, vlen të përmendet se Vetëvendosje vazhdimisht ka sulmuar LDK-në në lidhje me të kaluarën e saj në qeverisje, duke i kërkuar madje haptas që të pendohej për të.
Albin Kurti kishte deklaruar hapur dikur se “të gjithë ish-kryeministrat e Kosovës janë hajna” në një debat në Republikën e Shqipërisë.
Zaimi në reagimin e tij thotë se statusin ia ka kushtuar Serbisë dhe “marrëdhënieve të vështira apo të pamundura të shqiptarëve me të, vetëm një ditë pas përvjetorit të Reçakut.”
Në këtë rast, redaksia e Periskopit inkurajon Vetëvendosjen dhe z.Zaimi që të mbajnë qëndrimin në fjalë dhe të vazhdojnë të kërkojnë kërkim-faljen nga Serbia për krimet e bëra gjatë luftës në Kosovë.
Zaimi po ashtu ka deklaruar se nuk është “Edi Rama, që të padis “vëllezërit” nëpër gjykata për shpifje.” Por, në fakt, Vetëvendosje ishte ankuar kundër një artikulli të Periskopit muaj më parë që ishte botuar në rubrikën “Fun” e ku përflitej thjesht numri 126, që në zgjedhjet e 6 tetorit ishte numri i kësaj partie.
“Jeni të lirë të punoni kundër krijimit të qeverisë, por jo të keqpërdorni fjalët e të tjerëve.” – thotë z.Zaimi.
Në fakt, Periskopi në vazhdimësi ka bërë thirrje që koalicioni mes VV-së dhe LDK-së të ndodhte sa më parë duke botuar artikuj të shumtë edhe në lidhje me implikimet buxhetore nëse vazhdon zvarritja.













