Ndryshimi i historisë së luftës e bën Kosovën agresore: Rrëfimi se si Kurti u pajtua me Specialen

Pasi Agim Veliu e quajti “joserioze” ofertën e LDK-së, reagoi Vjosa Osmani e cila vazhdoi të ngulmin për arritjen e një koalicioni qeverisës me këtë parti. Por, një detaj shumë i rëndësishëm u zbulua nga ky status: që Vetëvendosje përfundimisht nuk ishte Vetëvendosje e dikurshme. “UÇK-ja është elementi kokë-çarës e i padëshirueshëm për proceset që […]
“UÇK-ja është elementi kokë-çarës e i padëshirueshëm për proceset që po na presin. Ajo duhet kriminalizuar. Për këtë punë kujdeset Gjykata Speciale.” – shkruante duke ironizuar në vitin 2014 Lëvizja Vetëvendosje në faqen e saj. Vetëvendosje me të drejtë kundërshtonte ashpër votimin e kësaj Gjykate.
Ta lexojmë edhe një herë po të njëjtën fjali:
“UÇK-ja është elementi kokë-çarës e i padëshirueshëm për proceset që po na presin. Ajo duhet kriminalizuar. Për këtë punë kujdeset Gjykata Speciale.”
Por, herën e dytë duket se kjo u tha me seriozitet dhe jo me ironi. UÇK-ja duhej kriminalizuar sepse ajo prishte punë për proceset që po na prisnin. Dhe për këtë punë kujdeset Gjykata Speciale.
Nuk mund të ketë pajtim mes një populli agresor dhe një populli viktimë – është parimi i fshehur që me gjasë ka udhëhequr ‘ndërmjetësuesit’ ndërkombëtar për negociatat Kosovë-Serbi. E prandaj, ndërkombëtarëve iu duhej të krijonin një kundër-peshë të viktimës te agresori [Serbia] dhe një kundër-peshë të agresorit te viktima [Kosova]. Pajtimi mund të bëhej vetëm nëse të dyja palët do të ishin barazisht agresore e viktima.
Historia duhej të ndërrohej përfundimisht. Kujtesa e njerëzve mbi ngjarjet duhej të ndryshohej, të përzihej me fantazi. Kukamat e pafundme të shqiptarëve që e pësuan duhej të heshteshin nga brohorimat e disa fantazmave agresore.
“Pajtimi dhe e Vërteta” – quhet aktualisht një komision i tmerrshëm terrori qeveritar që eksploaton dhimbjet e njerëzve që e pësuan më së rëndi në luftë.
Mirëpo, Vetëvendosje e kishte mundësinë që ta materializonte kundërshtimin e saj ndaj këtij ndërrimi të historisë në fund të vitit 2017 dhe t’i dilte kundër këtij procesi të padrejtë.
Sipas statusit të bërë mbrëmë nga znj.Vjosa Osmani, Lëvizja Vetëvendosje atë natë vendosi t’i nënshtrohej retorikës së pajtimit që e kërkonte Ambasada e ShBA-ve, dhe së cilës duket se nuk i bën as për një drejtësi të njëmendtë e as për një pajtim të njëmendtë. Me një përpjekje brutale e kolonialiste, kori diplomatik ishte rrekur që ta rregullonte politikisht e sipërfaqësisht edhe njërën, edhe tjetrën.
Kurti nga një mbrojtës i zellshëm i sakrificës dhe vlerave të luftës, iu bashkua korit që i mëshonte vulgarisht gjithë asaj duke u pajtuar me vazhdimin e Gjykatës Speciale një-etnike e raciste.

“Çka iu duhet partia kur nuk do të ketë Kosovë?” – kishte kërcënuar z.Delawie, ambasador i asokohshëm i ShBA-ve në vendin tonë duke treguar se sa i rëndësishëm ishte për të [jo domosdo për vendin e tij] fajësimi dhe viktimizimi i të dyja palëve në të njëjtën kohë.
Merreni me mend, Gjykata Speciale është një-etnike me një karakter krejtësisht politik, por megjithatë Kurti atë natë i tha JO shfuqizimit të saj.
Kosova u tradhtua e UÇK-ja u kriminalizua. Tashmë zor që dikush e beson se Vetëvendosje nuk do të ulet në tavolinë me Vuçiqin dhe liderët e tjerë të Serbisë ende-fashiste me kushtëzimin që kjo e fundit të kërkojë falje. Fundja, një vartës i Kurtit tashmë është ulur me një fashist si Marko Gjuriq. Ku mbeti kërkim falja?
Por, pyetja është pse të kërkohet falje kur në të vërtetë Serbia nuk është më agresori në këtë rrëfim? Për çka të kërkojë falje? Për krimet që i kemi bërë ne? Ne jemi NËN AKUZË dhe së shpejti do të jetë Beogradi ai që do të mund të kushtëzojë dialogun me Kosovën pa kërkuar ne falje për krimet që i kemi bërë. E Kurti do ta bëj edhe këtë gjë. Fundja “çka vyen partia kur nuk do të ketë Kosovë” nëse nuk do të kërkonim falje sipas një ambasadori tjetër amerikan? Natyrisht, po njësoj do të vepronin edhe liderët e tjerë të Kosovës.












