Ja çka bëri vaki gjatë rrahjes së Molliqajt me Abazin (Video)

Dje u publikua një video nga portali Sinjali ku shfaqej incidenti i papranueshëm i kacafytjes së z.Dardan Molliqaj dhe z.Haki Abazi. Ajo çka shfaqin pamjet po interpretohet në mënyra të ndryshme, edhe pse në fakt videoja është e njëjta. Periskopi do të përshkruajë me fjalë e kujdesshëm secilin akt që shfaq videoja e mëposhtme. Haki […]
Periskopi do të përshkruajë me fjalë e kujdesshëm secilin akt që shfaq videoja e mëposhtme.
Haki Abazi i Vetëvendosjes dhe Rexhep Hoti i PDK-së shihen derisa ecin së bashku duke bërë llaf me njëri tjetrin.
Në pesë sekondat e parë, Abazi nuk i heq sytë nga Hoti derisa ai flet për diçka dhe e ngrit paksa dorën e tij të djathtë. Abazi është njëkohshëm duke përthekuar kopsën e xhaketës së tij.
Në sekondën pesë shihet Dardan Molliqaj i PSD-së që hyn në skenë me një hap më të shpejtë. Kryet e kthen i pari z.Hoti. Jemi në sekondën e shtatë. Hoti i hedh dorën e djathtë Abazit derisa edhe ky e kthen kryet kah Molliqaj. Në skenë futet edhe një qytetar tjetër me duar në xhepa dhe këmishë të çelestë. Sekonda tetë.
Sekonda nëntë. Molliqaj i avitet Abazit deri sa Hoti përpiqet të futet në mes.
Sekonda dhjetë. Hoti rraset më thellë mes tyre ndërsa Molliqaj anohet në anën e djathtë të tij. Njeriu me këmishë çeleste tashmë është afër dyshes Molliqaj-Abazi.
Sekonda njëmbëdhjetë-dymbldhjetë. Hoti largohet nga Abazi-Molliqaj ndërsa njeriu me këmishë çeleste është fare afër tyre. Molliqaj shihet që i ka vënë dorën në gjoks z.Abazi.
Sekonda trembëdhjetë-katërmbëdhjetë. Molliqaj dhe Abazi vazhdojnë të ndërrojnë fjalë mes tyre, ndërsa dy trupat e tjerë vazhdojnë të ndjekin me kërshëri ndërveprimin.
Sekonda gjashtëmbëdhjetë-tetëmbëdhjetë. Pas disa fjalëve tjera që duket se i thotë Molliqaj, Abazi tërheq duart prapa dhe i sulet Molliqajt për duarsh. Njeriu me këmishë çeleste mundohet ta largojë Abazin nga Molliqaj dhe i vë dorën mes gjoksit dhe qafës.
Sekonda nëntëmbëdhjetë. Abazi bën disa lëvizje me këmbën e tij të djathtë, duke provuar që ta rrëzojë Molliqajn ndërsa njeriu me këmishë çeleste provon t’i ndajë.
Sekonda njëzet. Treshja e trupave Molliqaj-Abazi-Individi-anonim anojnë nga e majta e tyre nën shtyrjen e Abazit dhe përpjekjen e tij për të rrëzuar Molliqajn me këmbë.
Sekonda njëzet e një. Individi anonim me këmishë çeleste shihet më i anuar, Abazi për pak sa nuk rrëzohet duke u munduar që me këmbë ta rrëzonte Molliqajn.
Sekonda Njëzet e dy-njëzet e katër. Individi anonim me këmishë çeleste nuk është më aq i përfshirë në fërkimin fizik mes Molliqajt dhe Abazit, por provon ta ndalë ndonjë goditje të këtij të fundit ndaj Molliqajt. Hoti vazhdon të jetë më i larguar. Ndërsa Molliqaj vazhdon të ndalë ndonjë goditje nga Abazi.
Sekonda njëzet e pesë-njëzet e gjashtë. Molliqaj shihet që i ka vënë dorën në qafë në vetëmbrojtje Abazit deri sa ai i ka kapur dorën tjetër. Individi i tretë e ka njërën dorë kah Molliqaj dhe tjetrën kah Abazi duke provuar që t’i ndante.
Sekonda njëzet e gjashtë-njëzet e tetë. Individi anonim me këmishë çeleste vazhdon t’i mbajë të dy personat me duart, edhe Molliqajn edhe Abazin. Molliqaj e avancon dorën e tij te qafa e Abazit.
Sekonda njëzet e tetë-tridhjetë. Molliqaj i mëshon shuplakë Abazit [29], njeriu me këmishë çeleste vazhdon përpjekjen për t’i ndarë duke provuar që t’i ndante të dy nga njëri tjetri [shihni duart e tij, të cilët janë edhe te Molliqaj por edhe te Abazi]. Ndërsa Rexhep Hoti shihet duke prekur krahun e djathtë të Molliqajt – në përpjekje po ashtu për t’i ndarë.
Sekonda tridhjetë e një. Molliqaj largohet nga Abazi shkaku i trysnisë së Abazit dhe Hotit, njeriu me këmishë çeleste mundohet ta largojë Abazin me të dy duart.
Sekonda Tridhjetë e dy-tridhjetë e tre. Abazi provon t’i mëshojë Molliqajt me grusht të ngritur, por i mëshon njeriut me këmishë çeleste. Njeriu me këmishë çeleste shihet me grusht të ngritur me synim për të grushtuar Abazin si reagim. Hoti vazhdon përpjekjen për t’i ndarë, por pa u munduar shumë.
Sekonda tridhjetë e katër: Përpjekja për grushtim e njeriut me këmishë çeleste shkon huq, Abazi niset drejt daljes ku ndodhet edhe një grua. Molliqaj është në anën tjetër të Hotit.
Sekonda tridhjetë e pesë: Abazi me vrap largohet nga skena, njeriu me këmishë çeleste i shkon pas në ecje. Edhe Molliqaj me Abazin kthehen për të pare vrapin e Abazit.
Sekonda tridhjetë e pesë-tridhjetë e tetë: Të tre kthehen në anën tjetër, Molliqaj shihet deri sa largohet nga skena me çantën që e bartte më herët Abazi. Hoti kruan veshin e tij.












