S’ndalen me gola sulmuesit tanë: Atdhe Nuhiu e ngulit në sekondat e fundit në Angli (Video)

Fundjava e kaluar ishte e bereqetshme për fazën sulmuese të Kombëtares së Kosovës, kategoria e meshkujve. Shënoi Muriqi për Fenerbahçen, shënoi Kastrati për Lokomotivën e Zagrebit dhe shënoi Celina për Swansean. Sonte ka shënuar një gol fantastik shtatlarti Atdhe Nuhiu. Pavarësisht lëndimeve të tmerrshme që pësuan Zeneli e Celina, duket se Kosova nuk do të […]
Pavarësisht lëndimeve të tmerrshme që pësuan Zeneli e Celina, duket se Kosova nuk do të vuajë në fazën sulmuese në ndeshjet e radhës që do të zhvillohen me 7, respektivisht 10 shtator me Çekinë dhe Anglinë.
Kjo pasi sulmuesit e tjerë po kalojnë në formë të lartë. Muriqi shënoi golin e dytë në vetëm dy ndeshje kampionale për Fenerbahçen në Turqi. Lirim Kastrati shënoi për Lokomotivën e Zagrebit ndërsa Bersant Celina për Swansean duke e ngjitur në krye të tabelës në Championship, transmeton Periskopi.
Gol tjetër për Baselin kishte shënuar edhe Kemal Ademi, për të cilin ende nuk dihet nëse ka vendosur se a do të luajë për Zvicrën apo për Kosovën. Ademi ka shënuar tre gola në tri ndeshje për ekipin e tij.
Ecurinë pozitive në fazën e sulmit e vazhdoi sot Atdhe Nuhiu në EFL Cup të Anglisë. Ekipi i tij Sheffield Wednesday ia doli të fitonte ndaj Rotherham United me vetëm një gol dallim, atë që e shënoi kosovari dymetrosh.
Nuhiu u gjet mirë në zonën e gjashtëmbëdhjetë metërshit në sekondat e fundit të ndeshjes, dhe ia doli ta nguliste topin në rrjetën e portës kundërshtare përmes një goditjeje të fuqishme.
Nuhiu vazhdon të jetë pjesë rezervë e ekipit të tij ku luan tash e disa vite. Edhe ai pritet të ftohet për ndeshjet e radhës që do të luajë Kosova.












