E vështirë ta mbajmë mend kur kemi pasur Kombëtare më katastrofë se kjo

Kësaj here listën e të ftuarve të Bernard Challandesit për ndeshjet kundër Çekisë dhe Anglisë nuk e pritëm me shumë ngazëllim në Periskop. Duke respektuar të gjithë të ftuarit në reprezentacion, duhet thënë se ky është grupi më i dobët i futbollistëve që kemi pasur për një periudhë të gjatë. Në fakt, grup më të […]
Duke respektuar të gjithë të ftuarit në reprezentacion, duhet thënë se ky është grupi më i dobët i futbollistëve që kemi pasur për një periudhë të gjatë.
Në fakt, grup më të dobët nuk kemi pasur asnjëherë që prej ardhjes së Challandesit në krye të “Dardanëve”.
E dhimbshme edhe ta shkruajmë se na mungojnë pesë lojtarë kryesorë.
Milot Rashica, Arber Zeneli, Hekuran Kryeziu, Herolind Shala dhe Benjamin Kololli të gjithë janë jashtë për shkak të lëndimeve.
Mungesa e këtyre emrave e nënvizon për mrekulli kualitetin e dobët të lojtarëve që do ta kemi në fushë kundër dy Kombëtareve më të rrezikshme me të cilat jemi përballur deri më tash.

Është për t’u diskutuar vendimi kontravers i teknikut zvicëran për ta lënë jashtë një prej lojtarëve më premtues të Kombëtares aktualisht, Lirim Kastrati, derisa as Donis Avdijaj nuk është ftuar, me gjasë, për arsye taktike.
Sidoqoftë, shpresojmë se do të gjendet formula dhe Challandes e ka atë elementin magjik të motivimit të lojtarëve para ndeshjes, përndryshe, situata nuk duket aspak e favorshme.
Imagjinoni, sulmuesi rezervë, i cili është opsioni i vetëm për ta zëvendësuar Vedat Muriqin në rast nevoje, Atdhe Nuhiu ka bërë vetëm një paraqitje 17-minutëshe për Sheffield Wednesday këtë sezon në Championship.
Në anën tjetër, i rikthyeri nga lëndimi pas një kohe të gjatë, Valon Berisha nuk ka luajtur as edhe një minutë në çfarëdo kompeticioni për Lazion këtë fushatë dhe, pavarsisht kësaj, mund të startojë kundër Çekisë në “Fadil Vokrri”.
Duke marrë parasysh krejt këto, nëse dikush do të më bënte një ofertë: “një pikë nga dy ndeshje”, do ta pranoja me ngazëllim dhe do ta puthja në të dy faqet. /Periskopi.com/












