Reagon FFK ndaj thirrjeve brutale raciste të fansave sllovakë në ndeshjen Slovan-Feronikeli

Banerët dhe thirrjet tejet raciste si “Kosova është Serbi” u dëgjuan gjatë ndeshjes kualifikuese për në Champions League mes Slovan Bratislavës dhe Feronikelit, të mërkurën mbrëma. Ndeshja përfundoi me disfatë 2-1 të “Niklit”, por rezultati mbeti nën hijën e veprimeve të turpshme të fansave vendës, transmeton Periskopi. Federata e Futbollit të Kosovës tani ka reaguar […]
Banerët dhe thirrjet tejet raciste si “Kosova është Serbi” u dëgjuan gjatë ndeshjes kualifikuese për në Champions League mes Slovan Bratislavës dhe Feronikelit, të mërkurën mbrëma.
Ndeshja përfundoi me disfatë 2-1 të “Niklit”, por rezultati mbeti nën hijën e veprimeve të turpshme të fansave vendës, transmeton Periskopi.
Federata e Futbollit të Kosovës tani ka reaguar me një njoftim, ku thuhet:
Federata e Futbollit e Kosovës i dënon ashpër thirrjet dhe sloganet e paraqitura sot në ndeshjen e Europa Leagues në Bratislavë nga tifozët në ndeshjen Slovan – Feronikeli. Parullat dhe thirrjet e tilla, FFK-ja, i vlerëson si primitivizëm, të pakuptimta dhe natyrisht aspak reale.
Ëndrrat e Serbisë dhe të përkrahësve të tyre si dhe mashtrimet ndaj popullatës së tyre janë shumë të dëmshme edhe për vet ato klube dhe federatat e tyre, të cilat lejojnë këso anomali nëpër stadiumet e tyre.
Me këtë rast, ftojmë UEFA-në dhe FIFA-n që të marrin masa sa më rigoroze (konform rregulloreve të tyre) ndaj këtyre thirrjeve dhe sloganeve, në mënyrë që kjo të ndikojë edhe në klubet e tjera në parandalimin e sjelljeve të tilla.
Njëkohësisht kërkojmë nga Federata Sllovake që të reagojë për këto slogane të porositura kundër klubit tonë kampion dhe u bëjmë me dije se jemi partnerë të barabartë në UEFA e FIFA.
Ndërkohë, përgëzojmë futbollistët e KF “Feronikeli” që përkundër thirrjeve dhe sloganeve të tilla treguan lojë burrërore dhe besojmë në suksesin e tyre të mëtejmë.
Prishtinë, 24 korrik, 2019
Presidenti, Agim Ademi
Komiteti Ekzekutiv i FFK-së












