Haradinaj u dorëhoq, AAK thotë se po bëhet gati për zgjedhje

Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, ka deklaruar se AAK’ja është “gati për zgjedhje”. Deklarata e tij vjen pasi kryetari i AAK’së, Ramush Haradinaj, dha të premten dorëheqje nga posti i kryeministrit të Kosovës. Gjini, kryetar i Gjakovës, ka thënë se AAK’ja në këtë komunë është “mobilizuar”. “Përtej sfidave dhe vështirësive Aleanca […]
Deklarata e tij vjen pasi kryetari i AAK’së, Ramush Haradinaj, dha të premten dorëheqje nga posti i kryeministrit të Kosovës.
Gjini, kryetar i Gjakovës, ka thënë se AAK’ja në këtë komunë është “mobilizuar”.
“Përtej sfidave dhe vështirësive Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në Gjakovë është mobilizuar, duke e ftuar sovranin që t’ia rikthejë të drejtën e mohuar për të punuar në të mirë të Republikës së Kosovës. Me Kryeministrin tonë!”, ka shkruar ai në rrjetin social Facebook, në internet.
Ramush Haradinaj dha dorëheqje të premten dy muaj pa i mbushur dy vite të Qeverisë së ndërtuar nga AAK, PDK, NISMA e AKR.
Haradinaj dha dorëheqje pasi tha se i erdhi ftesa nga Gjykata Speciale, e cila është krijuar për t’i ndjekur ish-udhëheqësit e UÇK’së të dyshuar se kanë kryer krime lufte.
Ish-Kryeministri Haradinaj kishte udhëhequr Qeverinë e Kosovës edhe një herë për 100 ditë kur ishte detyruar të jepte dorëheqje në mars të vitit 2005 për të shkuar në Tribunalin e Hagës si i akuzuar për krime lufte. Atje ishte shpallur dy herë i pafajshëm.
Asnjëri prej Shefave të Qeverisë prej pasluftës s’e ka përfunduar mandatin kushtetues. Prej pasluftës janë mbajtur gjashtë palë zgjedhje nacionale.












