Anëtarja e LDK’së akuzoi partinë për linçim dhe tha se aty ka mbeturina të krimbura, vjen përgjigja nga partia

Së fundmi u raportua për punësimin e ish-deputetes së LDK’së, Rita Hajzeraj-Beqaj, në Agjencinë e Pyjeve të Kosovës. Ajo ka marrë pozitën e auditores së brendshme. Në mandatin e fundit, Hajzeri ka qenë pjesë edhe e Kryesisë së LDK’së organit vendimmarrës të partisë, shkruan Periskopi. Madje në Qeverinë e udhëhequr nga Isa Mustafa, Hajzeri kishte […]
Së fundmi u raportua për punësimin e ish-deputetes së LDK’së, Rita Hajzeraj-Beqaj, në Agjencinë e Pyjeve të Kosovës.
Ajo ka marrë pozitën e auditores së brendshme. Në mandatin e fundit, Hajzeri ka qenë pjesë edhe e Kryesisë së LDK’së organit vendimmarrës të partisë, shkruan Periskopi.
Madje në Qeverinë e udhëhequr nga Isa Mustafa, Hajzeri kishte mbajtur pozitën e Zëvendësministres.
E pas raportimit rreth punësimit të saj, Hajzeraj-Beqaj ka reaguar duke shpalosur edhe disa të pathëna deri më tani. Ndër tjerash, ajo përmend edhe mundin e dhënë për këtë parti gjatë kohës sa ka mbledhur vota për LDK’në.
Ajo thotë se sa ka qenë pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës, gjatë gjithë kohës ka qenë e linçuar totalisht madje thotë se janë bërë disa padrejtësi ndaj saj nga një grup i ngushtë i Kryesisë së LDK’së.
Në anën tjetër Hajzeraj-Beqaj nuk ka përmendur emra të personave që e kanë linçuar nga partia.
“Veç paskit harru me theksuse në zgjedhjet e fundit, në momentet e fundit, hiqet emri im nga lista për deputetë. Edhe pse jam lam lutur në Kryesi që si Zëvendësministre dhe person publik të ofrojë edhe disa emra të tjerë të gjinisë femërore për t’i inkuadruar në listën për deputetë ngase ende ka pasur vend. Unë vrapojsha ne gjet gra e vajza për të qenë pjesë e listës sepse ashtu isha lutur nga Kryetari në mbledhjen e Kryesisë, ndërsa në anën tjetër anëtarja e Kryesisë të hiqet në momentet e fundit nga lista pa asnjë paralajmërim dhe shpjegim është e pafalshme”, ka shkruar Hajzeri-Beqaj.
Por, ajo ka treguar se ka dy vjet që askush s’e fton në mbledhjet e Organit Ekzekutiv të Partisë.
“Për më tepër, prej asaj dite që jam hequr nga lista për deputete pa shpjegim nga ana e Kryesisë së LDK’së asnjëherë s’jam ftuar të marrë pjesë ne mbledhjet e Partisë. Prej atëherë asnjëherë s’e kam parë veten pjesë të Kryesisë së LDK’së”, ka shtuar ajo.
Ajo ka thënë se po të ishte pjesë e LDK’së nuk do të fitonte Haki Rugova garën ne Istog me vetëm katër vota diferencë ndaj Gani Dreshajt të AAK’së.
“Kjo është tregues i qartë se në LDK ka ende mbeturina që në publik flasin për një demokraci të mirëfillt por nga brenda janë të krimbur”, ka akuzuar Hajzeraj-Beqaj.
Ndërsa, Hajzeraj-Beqaj është ende pjesë ende e LDK’së, anipse thotë se është parti e krimbur.
E për këto akuza, Periskopi ka kontaktuar me zëdhënësin e LDK’së, Besian Mustafa. Ai deklaron se këto akuza nuk mund t’i komentojë dhe se nuk është në dijeni për to mirëpo deklaron se tërheqja e saj nga partia është bërë në bazë vullnetare.
“Mund ta konfirmoj se Hajzeraj- Beqaj ka që dy vjet që është tërhequr vullnetarisht nga Kryesia e LDK’së në mënyrë që ta vazhdojë angazhimin e saj profesional. Ajo nuk është më pjesë e Kryesisë ”, përfundon Mustafa për Periskopin./Periskopi/












