Pas taksës, koalicioni PAN në luftë meritash për autostradën ‘Arbën Xhaferi’

Një përplasje meritash për autostradën ‘Arbën Xhaferi’ ka dalë në pah mes partnerëve të koalicionit PAN, ngjashëm me atë që ndodhi me taksën – raporton Periskopi. Ka disa muaj që kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj e ka paraqitur si sukses të qeverisjes së tij përfundimin e kësaj autostrade, inaugurimi i të cilës do të bëhet […]
Ka disa muaj që kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj e ka paraqitur si sukses të qeverisjes së tij përfundimin e kësaj autostrade, inaugurimi i të cilës do të bëhet nesër.
Madje, publikimet nëpër rrjete sociale për këtë autostradë, Haradinaj i ka sponsorizuar për t’i bërë sa më virale.
Por, synime për t’i marrë meritat e autostradës ‘Arbën Xhaferi’ ka edhe partia tjetër e koalicionit PAN – PDK’ja.
Këtë publikisht e shprehi para pak çastesh nënkryetari i kësaj partie, Enver Hoxhaj, i cili njëkohësisht është edhe zëvendëskryeministër në Qeverinë Haradinaj.
Në një publikim në rrjetin social “Facebook”, Hoxhaj ka shkruar se kjo autostradë është një ide dhe vision i PDK’së që nga viti 2007, e që po kompletohet tek tani.
E pasi është siguruar që partia e tij t’i marrë meritat për autostradë, Hoxhaj ka shtuar edhe disa fjalë për rëndësinë strategjike të kësaj autostrade.
“Nesër do ta inaugurojmë autostradën “Arbën Xhaferi”, një ide dhe vision i PDK-së i projektuar më 2007, që po kompletohet tani. Kjo autostradë ka rëndësi strategjike sepse na afron me një vend fqinj që e kemi aleat dhe mbështetës, i afron popujt tanë dhe krijon mundësi zhvillimi dhe komunikimi edhe më intensiv”, ka shkruar Hoxhaj.
https://www.facebook.com/dr.enverhoxhaj/posts/1835281846573559
Ngjashëm si për autostradën, Hoxhaj kishte vepruar edhe me taksën 100 për qind.
Me t’u marrë vendimi nga Qeveria, Hoxhaj doli publikisht e tha se taksa ishte ide ekskluzive e tij.
Por, Hoxhaj mund të shquhet si një nga politikanët më të ‘dëgjueshëm’ ndaj ndërkombëtarëve.
Me të nisur reagimet kundër taksës nga ndërkombëtarët, ai edhe vetë doli kundër idesë së tij për taksën ndaj produkteve serbe e boshnjake.
Por, atëherë ishte shumë vonë. Kjo pasi, kryeministri Haradinaj assesi s’po lejon të tërhiqet vendimi për taksën, të cilin e quan vendim sovran të Qeverisë së Kosovës, dhe si e tillë nuk duhet lejuar që Serbia ta kushtëzojë dialogun me të, ashtu siç s’ka bërë Kosova për vendimet e Qeverisë serbe./PERISKOPI












