Nait Hasani tregon se me çfarë kushti do të jepte votën për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj

Opozita e Kosovës në një kohë sa më të shkurtër do largimin e Ramush Haradinajt nga posti i Kryeministrit. Me mocion mosbesimi, dy partitë më të mëdha opozitare, LDK dhe Vetëvendosje, të përkrahur edhe nga Partia SocialDemokrate duan ta rrëzojnë Qeverinë aktuale. Ndonëse Lista Serbe ua ka ofruar votat e tyre, opozita është skeptike për […]
Lidhja Demokratike e Kosovës thotë se nuk do të kërkojë nënshkrimet e Listës Serbe për rrëzimin e Qeverisë, por as nuk do të përzihen në vullnetin e deputetëve sa i përket përkrahjes së mocionit, pavarësisht etnisë apo grupit parlamentar që i përkasin.
Sipas tyre, synim kanë që të marrin përkrahjen e deputetëve të partive në pushtet.
Deputeti Nait Hasani lidhur me këtë nismë të opozitës ka treguar për Periskopin se me çfarë kushti do të jepte votën e tij për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj.
‘’Po a vjen ndonjë Qeveri më e mirë? Nëse vjen një Qeveri më e mirë. Po. E veç për me i ndërru kryeministrat, jo’’, ka thënë Hasani për Periskopin.
Deputetja e LDK’së, Vjosa Osmani sot tha se do t’i rikonfirmojnë 58 nënshkrimet e mbledhura deri tani, duke shtuar se këto janë vetëm vota të opozitës.
Ajo tha se bashkëpunimin për rrëzimin e qeverisë e kërkojnë tek deputetët që janë pjesë e partive në pushtet.
“Ne nuk do t’i kërkojmë nënshkrimet e Listës Serbe, mirëpo ta keni të qartë një gjë, kur hyjnë në Kuvend dhe vendoset mocioni në votim, ne nuk mund ta kontrollojmë votën e deputetëve individualë, ne nuk i përzihemi vullnetit të deputetit, pavarësisht etnisë që i takon, lidhur me mocionin që ne e propozojmë….Target, në aspektin pozitiv, i yni janë deputetët e pushtetit, të partive në pushtet të cilat janë duke shprehur mospajtime me mënyrën se si po qeveriset me Kosovën. Nëse ata i kanë seriozisht ato vërejtje, ndoshta nuk do të hezitojnë tre ose katër prej tyre të japin nënshkrimet që t’i kemi 61”, tha Osmani.
Ajo tha se të gjithë ata që sot ankohen në votat e Listës Serbe kanë marrë pjesë në mocionin kundër qeverisë së LDK-në në vitin 2017.
Osmani thekson se janë në fazë të hershme me fol për votën meqë ende janë duke mbledhë nënshkrimet.
Në anën tjetër, edhe Lista Serbe para disa ditësh doli me qëndrimin se janë të gatshëm të japin votat e tyre për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj./PERISKOPI/











