Luftë komandantësh në PDK’në e Podujevës: Pas pakënaqësive në zgjedhje të brendshme, nisin shkarkimet

Shefi i Grupit të Këshilltarëve të Partisë Demokratike të Kosovës në Asamblenë Komunale të Podujevës, Rafet Llapashtica është shkarkuar sot nga asambleistët e rinj kësaj partie. Shkarkimi i Llapashticës është rrjedhojë e pakënaqësive brenda Degës së kësaj partie me rezultatin e brendshëm zgjedhor – raporton Periskopi. Llapashtica është shkarkuar nga pesë asamblistët e kësaj partie: […]
Llapashtica është shkarkuar nga pesë asamblistët e kësaj partie: Fatmir Rudari, Floretë Zejnullahu, Arbër Blaku, Endrita Murati dhe Bashkim Syla.
Në seancën e mbajtur të Kuvendit Komunal në Podujevë u bë e ditur se shef i këtij grupi tashëm është emëruar këshilltari tjetër, Fatmir Rudari.
Po raportohet se këto ndryshime në Degën e PDK’së në Podujevë po shpërfaqin pakënaqësitë brenda kësaj Dege me rezultatin final të zgjedhjeve të brendshme për kryetar dege.
Periskopi ka mësuar se Llapashtica, i cili është shkarkuar nga të rinjtë e PDK’së ka përkrahur të zgjedhurin kryetar të PDK’së, Naim Fetahun.
E kundër këtij kandidati, Periskopi mëson se kanë qenë asambleistët që e shkarkuan atë, të cilët publikisht kishin përkrahur kandidatin tjetër, Fahri Osmani.
Të kontaktuar nga Periskopi, grupi i asambleistëve kanë mohuar se shkarkimi i Llapashticës është ndikuar nga procesi i brendshëm zgjedhor i kësaj partie.
Ata kanë thënë se aktualisht PDK’ja po kalon nëpër një proces të brendshëm, dhe këto ndryshime po shihet si të nevojshme.
Pavarësisht kësaj, disa nga ta e pranuan se edhe publikisht kanë përkrahur Osmanin në krye të kësaj gare.
Përveç asambleistëve, Fahri Osmani, aktualisht drejtor i Menzës në Qendrën Studentore, pati përkrahje edhe nga 30 nëndegë.
Derisa, shtuan se është koha që Llapashtica të pushojë pak.
Zgjedhjet e brendshme në Degën e PDK’së në Podujevë u mbajtën më 21 prill.
Edhe njëherë tjetër, Fetahu u zgjodh në krye të kësaj dege falë përkrahjen që kishte nga të vjetrit e ‘Dekadës së Re’.
Ish-komandanti i Përgjithshëm i UÇK-së, në Zonën Operative të Llapit, Rrustem Mustafa-Remi, ka mbështetur Naim Fetahun në garën për kryetar të PDK-së, kundrejt, kandidatit tjetër Fahri Osmani.
Kjo kishte bërë që në këtë degë, të ndahen në dysh dy nga figurat më të larta të PDK-së, në Podujevë. Rrustem Mustafa dhe Latif Gashi.
Ata e kundërshtonin njëri-tjetrin, teksa i pari mbështeste Naim Fetahun, e i dyti Fahri Osmanin.
Fetahu kishte fituar me vetëm dy vota diferencë, teksa në krah e kishte njërin ndër figurat më të rëndësishme të PDK-së, në Llap, të njohurin si komandant Remi, për dallim nga kandidati tjetër Osmani, i cili pëkrahej nga Gashi./PERISKOPI











