Kosova e vetmja kombëtare pa humbje në Evropë: Në ndeshjen me Anglinë bëhen 2 vjet nga humbja e fundit

Humbja e Rumanisë ndaj Suedisë në Solna më 23 mars të këtij viti e ndërpreu serinë pa humbje të kësaj kombëtareje që aktualisht zë vendin e 25 në botë në rangimin e FIFA-s. Kosova ndërkohë po e vazhdon serinë pa humbje që nga 10 shtatori i vitit 2017. Kombëtarja jonë bëri 10 ndeshje të mira, […]
Humbja e Rumanisë ndaj Suedisë në Solna më 23 mars të këtij viti e ndërpreu serinë pa humbje të kësaj kombëtareje që aktualisht zë vendin e 25 në botë në rangimin e FIFA-s.
Kosova ndërkohë po e vazhdon serinë pa humbje që nga 10 shtatori i vitit 2017. Kombëtarja jonë bëri 10 ndeshje të mira, duke fituar 6 herë dhe duke barazuar katër herë të tjera. E mposhti në mënyrë spektakulare Shqipërinë me rezultat 3 me 0, gjë që e nervozoi shumë presidentin e Shqipërisë që u tërbua ndaj trajnerit të mëparshëm të kombëtares kuq-e-zi, Christian Panuccit, e mposhti si mysafir 5 me 0 Maltën dhe fitoi 4 me 0 ndaj Azerbaixhanit.
Në gjithë këtë sukses të Kosovës meritor i padiskutueshëm ishte trajneri Bernard Challandes që ndërroi krejtësisht mentalitetin e skuadrës. Më të dalluarit në fushë ishin Arbër Zeneli, mbrojtësi Amir Rrahmani, anësori Milot Rashica dhe mesfushori Hekuran Kryeziu.

Ndërkohë që forma e lojtarëve kryesor të kombëtares vetëm sa është rritur me Rashicën që ka shpërthyer në Gjermani dhe me Vedat Muriqin që po ashtu shpërtheu në Turqi dhe gjatë kësaj vere do të kalojë në një ekip më të madh. Po ashtu, Arbër Zeneli tashmë ka realizuar një transferim fantastik në Ligue 1 të Francës ku kaloi një gjysmë-sezon relativisht të mirë. Edhe Bersant Celina e ka rritur pjekurinë e tij në Swansea City ku është lojtari i dytë kryesor pas Oli McBurniet që pritet të largohet.

Në ndeshjen e radhës Kosova luan kundër Malit të Zi në Podgoricë, në një ndeshje pa tifozë dhe pa dy prej lojtarëve kryesor të malaziasve, Stevan Jovetiqin e Monacos dhe Adam Marusiqin e Lazios. Pas kësaj ndeshjeje, Kosova i shkon në Sofie Bullgarisë, niveli teknik i së cilës është më i ulët se ai i kombëtares sonë.
Më 7 shtator e presim në Prishtinë Republikën Çeke që nuk është ajo e dikurshmja me lojtarë si Rosicky, Jankulovski e Ujfalusi. Më i miri i tyre është dështaku i Romës, Patrick Schick.
Dhe pikërisht më 10 shtator kur mbushen fiks 2 vjet prej që e pësuam humbjen e fundit do të ndeshemi me Anglinë në Angli. /Periskopi












