Kush ishte Adem Jashari sipas të huajve? Separatist, racist dhe hero problematik

Adem Jashari [i lindur me emrin Fazli] është një ndër heronjtë më të mëdhenj në historinë moderne të Kosovës, shkruan Periskopi. Por, përtej fjalëve lavdëruese e drithëruese që i kemi dëgjuar për çdo përvjetor të rënies së tij, kush ishte në të vërtetë ai? Adem Jashari ishte një ndër themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, […]
Adem Jashari [i lindur me emrin Fazli] është një ndër heronjtë më të mëdhenj në historinë moderne të Kosovës, shkruan Periskopi.
Por, përtej fjalëve lavdëruese e drithëruese që i kemi dëgjuar për çdo përvjetor të rënies së tij, kush ishte në të vërtetë ai?
Adem Jashari ishte një ndër themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, një separatist shqiptar nga Kosova që luftonte për ndarjen e Kosovës nga Republika Federative e Jugosllavisë gjatë viteve ’90 dhe për krijimin e Shqipërisë së Madhe.
Jashari ka lindur në Prekaz të Drenicës më 28 nëntor të vitit 1955, edhe pse datëlindja i është kontestuar së voni nga publicisti mitrovicas, Nexhmedin Spahiu. Për të thuhet se rrallë edhe në rininë e tij është parë pa një armë në dorë. Sipas gazetarit Tim Judah, “Jashari i urrente serbët, dhe edhe pse ishte një ndër rekrutët e parë të UÇK-së, në të vërtetë nuk kishte kurrfarë ideologjie.” Kjo deklaratë implikon me fjalë të tjera se Jashari ishte racist që nuk besonte në asgjë tjetër. Kjo mund të cilësohet si një deklaratë tendencioze.
Drenica ishte konsideruar nga Jugosllavia si “vatra e terrorizmit shqiptar” edhe para fillimit të luftës së Kosovës. Adem Jashari ishte bujk me profesion. Më 1991, ai mori pjesë në një kryengritje të armatosur kundër autoriteteve jugosllave në Kosovë.

Nga viti 1991 deri më 1992, Jashari dhe rreth 100 shqiptarë të tjerë që donin të luftonin për pavarësinë e Kosovës iu nënshtruan trajnimeve ushtarake në komunën e Labinotit në Shqipëri. Më vonë, Jashari dhe këta shqiptarë kryen akte të ndryshme të kabotazhit të drejtuara ndaj aparatit administrativ serb në Kosovë. Në përpjekjen për ta kapur apo vrarë atë, policia serbe rrethoi Jasharin dhe vëllain e tij më të madh, Hamzën, në shtëpinë e tyre në Prekaz më 30 dhjetor 1991. Në mënyrë që ta çanin rrethimin e serbëve, një numër i madh shqiptarësh nga Kosova u dyndën në Prekaz për t’i bërë presion policisë që të tërhiqej nga fshati.
Ndërsa ishte në Shqipëri ai u arrestua më 1993 nga qeveria e Sali Berishës dhe u dërgua në burg të Tiranës. Më pas ai u kthye në Kosovë, ku nga fshati i tij kreu sulme të tjera ndaj forcave jugosllave, për t’u dënuar për terrorizëm nga një gjykatë e shtetit më 11 korrik të vitit 1997. Human Rights Watch e kishte përshkruar procesin si “dështim për t’u konfirmuar me standardet ndërkombëtare.”
Duke e ndjekur Jasharin për ta arrestuar, forcat serbe sërish e rrethuan fshatin më 22 janar 1998, por shqiptarët e Kosovës sërish shkuan në Prekaz, duke i bërë presion policisë që të largohej. Muajin tjetër, një njësi e vogël e UÇK-së i zuri pritë policëve serbë. Katër u vranë dhe dy u plagosën.
Si përgjigjje ndaj kësaj, ndodhi misioni i madh i hakmarrjes, ku u përfshinë tanke, avionë dhe helikopterë. Human Rights Watch kishte dhënë vërejtjen se “policia speciale kishte sulmuar pa paralajmërim, duke qëlluar në gra dhe fëmijë, e të tjerë njerëz joluftues.”
Policia i kishte bërë thirrje Jasharit që të dorëzohej, duke i dhënë kohë prej dy orësh, por ai nuk kishte dhënë përgjigjje. Adem Jashari kishte qëndruar brenda dhe i kishte urdhëruar anëtarët e familjes së tij që të qëndronin me të.”
Goran Radosavljeviq, ministër i brendshëm serb, kishte akuzuar Adem Jasharin se “kishte përdorur gra, fëmijë dhe pleq si pengje.” Gjenerali tjetër, Nebojsha Pavkoviq, kishte deklaruar se “ishte një aksion normal policor ndaj një krimineli të njohur. Dhe ishte i suksesshëm. Detajet e tjera nuk më kujtohen.”











