Dy vjet përpjekje të LDK’së e VV’së, por në fund PSD ia doli ta shkarkojë Rikallon

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj sot ka marrë vendim për shkarkimin e Ministrit të Bujqësisë, Nenad Rikallo. Nga ky vendim i Haradinajt varej edhe kalimi i Projektligjit për Buxhetin në seancën e sotme të Kuvendit, pasi ishte një nga pesë kushtet e Partisë Socialdemokrate për votimin e këtij Projektligji. Për shkarkimin e Rikallos pati përpjekje […]
Ka disa muaj që kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka pasur presion të madh për shkarkimin e ministrit serb të Bujqësisë, Nenad Rikallo.
Kjo për shkak të akuzave që rëndonin ndaj tij për keqtrajtim të banorëve të Lagjes “Dardania” gjatë viteve të 90’ta, e deri të abuzimet me buxhet gjatë kohës sa drejtonte ministrinë.
Rikallo ishte emëruar ministër nga radhët e Listës Serbe, si pjesë e marrëveshjes që Koalicioni PAN kishte me ta.
Me t’u emëruar Ministër, në media u publikuan rrëfime të shumta të qytetarëve të Prishtinës, të cilat e akuzonin Rikallon për torturim gjatë kohës së luftës. Banorët e lagjes “Dardania” akuzonin Rikallon se gjatë kohës së luftës si oficer i lartë i Ushtrisë Serbe, kishte rrahur dhe maltretuar fqinjët që jetonin në ndërtesën ku jetonte edhe ai. Madje, përveç torturës, ai akuzohej se i kishte larguar disa studentë nga ndërtesa.
Banorët e “Dardanisë” e quan kriminel Rikallon dhe thonin se nuk do të ndalen së kërkuari drejtësi derisa ta dërgojnë atë në burg.
Këto akuza të banorëve që rëndonin mbi ministrin serb bën që kryeministri Haradinaj të thirrej për raportim në Kuvend. Kështu, në seancën e 3 tetorit 2018, u mbajt interpelanca e Haradinajt, sipas kërkesës së Grupit Parlamentar të LDK’së për ta informuar Kuvendin mbi akuzat publike të shfaqura ndaj Rikallos.
Në atë seancë, Haradinaj kishte mbrojtur vartësin e tij, teksa as nuk e hidhte në shqyrtim idenë për shkarkimin e tij.
“Ne i respektojmë të gjeturat ligjore të mekanizmave të thirrur për këtë temë, që janë policia, prokuroria të cilët na kanë konfirmuar që nuk ka të dhëna që na obligojnë si qeveri për çfarëdo veprimi të caktuar”, kishte deklaruar kryeministri Haradinaj, duke aluduar në faktin se kinse nuk ka dëshmi të mjaftueshme për marrjen e vendimit për shkarkimin e ministrit serb.
Në atë seancë, Lidhja Demokratike e Kosovës si parti opozitare, kishte ngritur mocion për shkarkimin e Rikallos, por që i njëjti nuk kishte arritur votat e mjaftueshme të deputetëve.
Mocioni i LDK-së për shkarkimin e tij, kishte marrë 27 vota për, 40 kundër, ndërsa në fillimin e muajit nëntor, Prokuroria Speciale, bëri të ditur se nuk kishin gjetur prova të mjaftueshme se Rikallo ishte i implikuar në krime lufte.
Pas LDK’së, në përpjekjet për shkarkimin e Rikallos dështoi edhe Lëvizja Vetëvendosje.
Si parti opozitare, para një viti Vetëvendosje kishte paralajmëruar protestë për shkarkimin e Rikallos.
Por, protesta e paralajmëruar për Rikallon nuk ndodhi asnjëherë.
Akuzat, aferat dhe përpjekjet për shkarkimin e Rikallos nuk përfunduan me kaq, pavarësisht që Rikallo nuk u shfaq në punë me muaj të tërë.
Subjekti i Rikallos, Lista Serbe, pjesë e koalicionit qeverisës, është në dorëheqje që nga marsi i vitit të kaluar, si reagim ndaj arrestimit të Marko Gjuriqit nga Policia e Kosovës.
Pavarësisht kësaj, Rikallo figuronte si ministër i Bujqësisë.
Pak muaj më vonë, dolën në pah përplasjet që ai kishte pasur me kryeshefin e Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë, Elhami Hajdarin.
Ky i fundit, pretendonte se Rikalo po i hakmerrej shkaku i një granti që nuk kishte lejuar të përfundonte të një prej bizneseve, në të cilin ishte e përfshirë gruaja e ministrit, e Rikalo pretendonte se i kishte shpëtuar bujqit nga korrupsioni me largimin e Hajdarit.
Para disa ditëve, gazeta “Koha Ditore” sërish publikoi një hulumtim për një tjetër aferë të Ministrisë së Bujqësisë, këtë herë për 3 milionë euro që jashtëligjshëm u ishin ndarë bizneseve në formë granti.
Dyshime për procesin e ndarjes së këtyre granteve, ku përfitues ka edhe njerëz të lidhur me politikën, kanë edhe zyrtarë brenda kësaj ministrie, që i kanë thënë gazetës se nuk ishin në njohuri për procedurat që janë ndjekur.
Më herët, Rikalos i kishte dalë punë edhe me Agjencinë Kundër Korrupsion, pasi e kishte një biznes të regjistruar, rastësisht në fushën e bujqësisë, të cilin ishte detyruar ta shuajë.
Por, të gjitha këto afera nuk mjaftuan që Qeveria të ndajë rrugët me Rikallon.
Vendimi për shkarkimin e tij, kryeministri Haradinaj e mori për shkak të kushtëzimit të Partisë Socialdemokrate me votimin e Projektligjit për Buxhetin 2019.
Gjatë ditës së djeshme, Partia Socialdemokrate e paralajmëroi për herë të fundit Qeverinë se e ka njëmend për shkarkimin e Rikallos.
Deputetja e kësaj partie, Shqipe Pantina, në një intervistë për Periskopin, deklaroi se partia e saj nuk do ta votojë Projektligjin për Buxhet, nëse Qeveria nuk merr vendim për shkarkimin e ministrit serb, si një nga kushtet e kësaj partie.
Madje, pas arritjes së qëllimit, deputetë të kësaj partie patën një mesazh të qartë e të shkurtë mëngjesin e sotëm.
“Dita e mirë shihet në mëngjes”, shkruan në Facebook deputeti Dardan Sejdiu, teksa ka publikuar edhe vendimin e Haradinajt për shkarkimin e Rikallos.
E deputeti tjetër, Dardan Molliqaj, u ka bërë thirrje atyre që po xhelozojnë suksesin që arriti partia e tyre me shkarkimin Rikallos, të mos e vajtojnë këtë vendim dhe të mos tentojnë ta paraqesin si të parëndësishëm.
Sipas tij, është e rëndësishme që në Qeveri të mos ketë njerëz të dyshuar për krime lufte e për keqpërdorime milionëshe të buxhetit të shtetit. /PERISKOPI











