Prindërit të shqetësuar për grevën në arsim, sidomos pas rezultatit të PISA-s

Në çerdhet, shkollat dhe universitetet publike të Kosovës sot është mbajtur grevë dy orëshe në shenjë pakënaqësie me mos zbatimin e Ligjit të Pagave, të cilin javën e kaluar Avokati i Popullit, Hilmi Jashari e dërgoi në Gjykatën Kushtetuese pasi që kishte pranuar ankesa se ka shkelje në këtë ligj. E vendimin për greva Sindikata […]
Në çerdhet, shkollat dhe universitetet publike të Kosovës sot është mbajtur grevë dy orëshe në shenjë pakënaqësie me mos zbatimin e Ligjit të Pagave, të cilin javën e kaluar Avokati i Popullit, Hilmi Jashari e dërgoi në Gjykatën Kushtetuese pasi që kishte pranuar ankesa se ka shkelje në këtë ligj.
E vendimin për greva Sindikata e Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë e mori ditë më parë para se Gjykata Kushtetuese të dalë me vendimin për pezullim të Ligjit të Pagave deri në mars të vitit 2020.
Nënkryetarja e SBASHK-ut, Vjollca Shala ka konfirmuar se në të gjitha institucionet arsimore publike në vend është duke u mbajtur grevë dy orëshe.
Shala tutje tha se pasi që dje ka marrë vendim Gjykata Kushtetuese për pezullim të Ligjit të Pagave duke mos i përjashtuar grevat tha se kryesia e SBASHK-ut do mblidhet për të marrë vendim lidhur me vendimin e Kushtetueses.
“Besoj së shpejti pasi t’i marrim mendimet e mësimdhënësve dhe anëtarëve të anëtarësisë sonë ne do të kërkojmë nga këshilli drejtues dhe sindikatat komunale që të bisedojnë me anëtarësinë që të sjellim një vendim të mëtutjeshëm. Nuk e përjashtoj as grevën, por nuk e them se do mbahet grevë, një vendim të tillë e sjell këshilli drejtues i SBASHK-u si organi më i lartë në mes të dy kongreseve”, tha ajo.
Të pakënaqur me grevat që po i organizon SBASHK-u u shprehën prindërit të cilët thanë se po dëmtohen nxënësit.
Fadil Cana ka deklaruar se më mirë do ishte që këto greva të organizoheshin pas orarit mësimor, pasi që do gjenin edhe përkrahjen e vetë prindërve.
Ai tha se edhe rezultatet e testit PISA kanë treguar gjendjen e arsimit në Kosovë, prandaj sipas tij këto greva nuk janë të dobishme për nxënësit.
KosovaPress mëngjesin e sotëm ka qëndruar tek shkolla fillore e mesme e ulët” Faik Konica” dhe “Naim Frashëri” në Prishtinë, por nuk u lejua të marrë pamje dhe deklarata nga mësimdhënësit për grevën e mbajtur.
Nxënësi i klasës së nëntë në shkollën fillore të mesme të ulët “Faik Konica”, Jorik Ibrahimi tha se mësimdhënësit iu kanë dhënë atyre që të shkojnë në shkollë edhe pse mësimi nuk do mbahet dy orët e para.
Ndonëse thotë se këto greva nuk iu shkaktojnë shumë telashe, Joriku kujtoi grevën tre javore të vitit të kaluar e cila tha se ajo i dëmtoi.
Për shkak të pezullimit të Ligjit të Pagave nga Gjykata Kushtetuese greva janë duke mbajtur edhe sistemi shëndetësor përveç Klinikës Emergjente.












