Pas raportimit të Periskopit, FFK me komunikatë: Nuk demanton se kanë fabrikuar komunikatën e UEFA-s

Periskopi më herët alarmoi opinionin publik se Federata e Futbollit të Kosovës mund të ketë fabrikuar komunikatat e UEFA-s dhe FIFA-s në shërbim të kryetarit aktual të saj z.Agim Ademi. FFK-ja, e cila nuk i kishte dhënë akredimin gazetarit të sportit në Periskop pa dhënë asnjë arsye, ka publikuar disa dokumente krejtësisht irelevante në lidhje […]
FFK-ja, e cila nuk i kishte dhënë akredimin gazetarit të sportit në Periskop pa dhënë asnjë arsye, ka publikuar disa dokumente krejtësisht irelevante në lidhje me çështjen në fjalë.
“Me qëllim të evitimit të të gjitha dezinformatave dhe për të informuar drejt dhe bazuar në ligj, FFK lëshon të bashkëngjitur:
- Procesverbalin nga mbledhja e Kuvendit të Jashtëzakonshëm Zgjedhor, ku konfirmohet mandati katërvjeçar i presidentit Agim Ademi;
- Interpretimin ligjor të Ministrisë së Administratës Publike (organ i vetëm për të interpretuar statusin e OJQ-ve);
- Shkresën zyrtare nga UEFA, me të cilën konfirmohet se z. Ademi është i zgjedhur në mënyrë të ligjshme, duke i respektuar të gjitha procedurat demokratike për mandatin 4-vjeçar në krye të FFK-së.”
Pjesa e mësipërme, siç mund ta shihni, është krejtësisht e parëndësishme për rastin. Më tej deklarohet se Komiteti Ekzekutiv [i FFK-së] e konsideron të mbyllur këtë çështje, edhe pse në fakt nuk jepet asnjë sqarim i vetëm në lidhje me të ashtuquajturat “reagime” nga UEFA dhe FIFA.
Askund nuk shkruhet se UEFA ka reaguar – ashtu siç pretendon FFK-ja në versionin shqip – në lidhje me ‘situatën’ e krijuar në FFK e po ashtu as FIFA. Periskopi është ende në pritje të përgjigjjeve nga dy shtëpitë më të mëdha të futbollit botëror. /Periskopi












