Akuza të rënda të Arianit Ahmetit në drejtim të FFK-së dhe Kadri Veselit

Zv/sekretari i Federatës së Futbollit të Kosovës, i cili që nga e mërkura është shkarkuar nga Komiteti Ekzekutiv, Arianit Ahmeti, sot ka dhënë një intervistë për Zërin ku ka diskutuar zhvillimet e fundit në futbollin kosovar. Ahmeti, edhe pse deri në mesin e kësaj jave ishte pjesë e FFK’së, ka hedhur shumë akuza në drejtim […]
Ahmeti, edhe pse deri në mesin e kësaj jave ishte pjesë e FFK’së, ka hedhur shumë akuza në drejtim të këtij institucioni. Njëra nga to ishte edhe festa e ish-kryeparlamentarit të Kosovës, Kadri Veseli, me futbollistët e Kombëtares së Kosovës, transmeton Periskopi.

I pyetur rreth ndërhyrjes së politikës në FFK, Ahmeti u përgjigj:
“Më së miri është që t’i referoheni deklaratave të fundit nga Federata e Futbollit të Kosovës ku këta e thërrasin politikën dhe shtetin që të ndërhyjë siç thonë ata nga sulmet. Po cilat sulme. Nuk e di se çfarë sulmesh, vetëm nëse referohen te anëtarët e klubeve, delegatët.
Politika është në shërbim total të Agim Ademit. Është parë dhe është e vërtetuar kjo punë. Ju e dini më mirë. Mos të flasim se çka kanë bërë me Kombëtaren. Edhe marketing kanë bërë për persona apo parti të caktuara”, deklaroi Ahmeti, duke aluduar në festën e Kadri Veselit me futbolistët ‘verdhekaltër’ e cila bëri bujë muaj më parë.
Ndryshe, krerët e futbollit kosovar e kishin arsyetuan festën e Veselit me lojtarët, duke marrë parasysh që ai përfaqësonte Kuvendin e Kosovës dhe pozitën e kryeparlamentarët.
Festë të ngjashme me futbollistët në atë kohë kishte bërë edhe presidentja e Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitaroviq. Kjo e fundit mori shumë lëvdata që gjeti kohë të festonte me lojtarët kroatë në zhveshtore.














