A mund të përjashtohet Kosova nga UEFA dhe FIFA? Ja çka i ndodhi Bosnjes

Federata e Futbollit e Kosovës kishte gënjyer opinionin publik se Kosova rrezikonte suspendimin pas situatës së krijuar me zëvendës-sekretarin, Arianit Ahmeti, që deklaronte se duhej të kishte zgjedhje për kryetar të ri. Krerët e FFK-së kishin paraqitur qëndrime të paevidencuara në faqen e tyre, versionin shqip, të kryetarit të UEFA-s, Aleksandër Çeferin dhe kryetarit të […]
Krerët e FFK-së kishin paraqitur qëndrime të paevidencuara në faqen e tyre, versionin shqip, të kryetarit të UEFA-s, Aleksandër Çeferin dhe kryetarit të FIFA-s, Gianni Infantinos.
Në gjuhën tonë amtare, Çeferin dhe Infantino deklaronin se ishin të shqetësuar me situatën e krijuar dhe se mbështesnin fuqishëm Agim Ademin dhe krerët e FFK-së në punën e tyre.
Madje, pretendimet e pambështetura të FFK-së kishin shkuar aq larg, sa thuhej që Agim Ademi kishte këshilluar krerët e shtëpive të futbollit evropian e botëror që të mos “merrnin masa të ngutshme”. Tragjikomedi.
Periskopi kishte zbuluar se një gjë e tillë nuk qëndronte. Se deklaratat në fjalë ishin shkruar vetëm në shqip nga vetë FFK-ja. Se UEFA dhe FIFA nuk merreshin me zgjedhjet e brendshme brenda federatës sonë. Bile, UEFA e kontaktuar nga Periskopi dha një konstatim të tillë dhe na udhëzoi të shihnim Nenin 9 që fliste për suspendimin e një federate anëtare.
Natyrisht, statuti i UEFA-s nuk parasheh kurrfarë sanksionimi nëse dikush tjetër provon të marrë drejtimin e federatës. Përveç në rastet kur shteti ndërhyn. E shteti ynë, më saktë Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve e drejtuar nga PDK-ja, mbështeti Agim Ademin – duke i dalë kundër opinionit ligjor ku kërkoheshin zgjedhje të reja.
UEFA dhe FIFA në vitin 2011 kishin suspenduar Bosnjen dhe Hercegovinën për shkak të interferimit direkt politik e shtetëror në federatë.
Federata boshnjake [NSBiH] kishte emëruar tre presidentë federate duke e vendosur frymën e përçarjes etnike shtetërore edhe në futbollin e tyre. UEFA dhe FIFA e kishin urdhëruar atë që të mos e bënte një gjë të tillë.
Por, boshnjakët e kishin shpërfillur urdhërin e UEFA-s dhe FIFA-s dhe kishin zgjedhur tre kryetarë, duke i shkelur në mënyrë flagrante statutet e dy organizatave të futbollit.
Natyrisht, Kosova nuk vuan nga përçarje të tilla etnike dhe çështja është e fabrikuar krejtësisht nga krerët e FFK-së. Agim Ademi, kryetari i saj, së fundi është dënuar për kërcënim dhe sulm ndaj një personi duke dashur që t’i ndërronte statusin një ngastre toke, nga e gjelbër në tokë ndërtimi, në mënyrë që të përfitonte materialisht.
Ademi nuk e kishte parë të arsyeshme që të jepte dorëheqje nga pozita e tij.
Një kryetar i dënuar mund të përbëj problem të madh për Kosovën. Por më e rëndësishmja, nëse UEFA dhe FIFA vendosin që të hapin hetime për falsifikimin e deklaratave nga FFK-ja, atëherë futbolli i Kosovës mund të vuajë ndonjë pasojë. /Periskopi












