Zeqiri: Futbollistët tanë janë identiteti i modernitetit tonë dhe aktualitetit që ne jetojmë

Kombëtarja e Kosovës në Plezen të Çekisë do ta ketë ndeshjen më vendimtare deri më tani në fazën e kualifikimeve për “Euro 2020”. “Dardanët” prej orës 20:45 do të përballen me Çekinë, rivalin direkt për vendin e dytë në Grupin A. Kosova në ndeshjen e parë në Prishtinë kishte fituar ndaj Çekisë me rezultat 2-1, […]
“Dardanët” prej orës 20:45 do të përballen me Çekinë, rivalin direkt për vendin e dytë në Grupin A.
Kosova në ndeshjen e parë në Prishtinë kishte fituar ndaj Çekisë me rezultat 2-1, me golat e Vedat Muriqit dhe Mërgim Vojvodës.
Për Periskopin ka folur analisti dhe trajneri i futbollit, Arben Zeqiri, i cili tregon shanset e Kosovës për ndeshjen ndaj Çekisë.
Zeqiri thotë se Kosova duhet të këtë qasje të njëjtë sikurse në të gjitha ndeshjet e zhvilluara dhe se stili i lojës nuk bën të ndryshoj.
“Nuk duhet ndryshuar mënyrën e lojës, por me këta futbollistë që ka në dispozicion të vazhdojë me mënyrën e njëjtë të lojës, por duke modifikuar disa detaje, veçmas në riorganizimin në fazën e mbrojtjes. Nëse dëshirojmë të mbajmë ritmin e lojës duhet pasur parasysh se kemi përballë një kundërshtar fizikisht shumë të përgatitur dhe po ashtu që shquhet për disipline taktike në të dy fazat e lojës. Pra, kemi një kundërshtar që në ndeshjet e tyre në shtëpi ua imponojnë kundërshtarëve lojën e vetë, madje siç është rasti para disa javësh me Anglisë superiore”, ka thënë Zeqiri për Periskopin
Gjithashtu, Zeqiri ka folur edhe për mungesën e njërit ndër lojtarët më të mirë të Kosovës, Vedat Muriqi.
Sipas analistit, Challandes do të jetë i detyruar të fus në ndeshje një 9 fals për të zëvendësuar Muriqin.
“Absolutisht asnjë lojtar nuk kemi në skuadër të nivelit fizik e teknik sikurse Vedat Muriqi i cili aktualisht po kalon formën e tij më të mirë jetësore. Por, Challandes në mungesë të tij do të imponohet që të fus një 9 fals e unë personalisht preferoj tredhëmbëshit Rashica-Celina-Rashani ose eventualisht Muslija, derisa pres në mesfushë të jenë Valon Berisha, Besar Halimi dhe Idriz Voca”, ka potencuar ai.
Ish-futbollisti ka folur edhe për pikat e forta të Kombëtares çeke, ku sipas tij duhet të funksionon gjithçka në mënyrë perfektë dhe të ketë përqendrim maksimal në ndeshje.
“Duhet të kemi shumë kujdes të mos shkaktojmë ndërprerje dhe veçmas në kundërsulme me që janë shumë të rrezikshëm dhe pikërisht duke të organizuar taktikisht dhe shumë të disiplinuar për t’i mbajtur çekët sa më larg zonës së 16 metërshit, e ku do të tentojnë pikërisht në atë pjesë të na dominojnë. Në çdo tentim sulmues të tyre do të duhej të kemi epërsi numerike në raport me çekët, në mënyrë që mos të pësojmë gol dhe të përpiqemi që eventualisht nëpërmjet kundërsulmeve me sa më pak prekje të topin të përfundojmë veprimet tona grupore”, ka shtuar Zeqiri për Periskopin.
Në fund, Zeqiri ka folur për gjasat e Kosovës që të kualifikohen në Euro 2020. Sipas trajnerit të futbollit Kombëtarja jonë e dinë se çfarë të kërkojë në këto dy ndeshje. Gjithashtu, ka shtuar se futbollistët tanë na kanë bërë krenarë në këtë ecuri pozitive të ekipit tonë.
“Fatmirësisht e dimë se çfarë kërkojmë në këto dy ndeshje, gjasat janë reale me fitore kundër Çekisë dhe një barazim me Anglinë të kualifikohemi në Euro 2020. Por edhe nëse nuk ndodh kjo, ne mund të kërkojmë këtë mundësi nëpërmjet ‘Ligës së Kombeve’, e cila ishte gara që na shërbeu më së shumti të piqemi për ndeshje të tilla. Futbollistët kanë fituar vetëbesimin dhe si pasojë e kësaj kemi bërë edhe këto super-paraqitje kundër kombëtareve që janë ndër më të fortat në botë, siç ishte rasti me Anglinë.
Futbollistët tanë janë identiteti i modernitetit tonë, i aktualitet që ne jetojmë, me shumë se gjithçka tjetër në këtë vend na bëjnë të ndjehemi krenarë me ta, andaj besojmë fuqishëm edhe në një ndihmë e mbështetje mbinatyrore sendërtimin e ëndrrës së shumë gjeneratave. Jam shumë optimist që do të triumfojmë në këtë ndeshje. Përpara Kosovë, të dua përjetësisht!”, përfundoj Arben Zeqiri me fjalë emocionuese. /Periskopi/














