A do të arrestohet nesër Vuçiq sikurse Marko Gjuriqi?

Sot pas orës 10:00 të mëngjesit ishte paraparë një takim i radhës në Bruksel ndërmjet presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij serb, Aleksandër Vuçiq. Por diçka e tillë u anulua në momentet e fundit për shkak se siç raportojnë mediat nga Beogradi, presidentit serb iu ndalua vizita tek Ujmani apo Gazivoda. I ashtuquajtur shef […]
I ashtuquajtur shef i Zyrës për Kosovën në qeverinë serbe, Marko Gjuriq, ka publikuar një email të shkëmbyer mes autoriteteve të Kosovës dhe Serbisë, lidhur me vizitën e presidentit serb, Aleksandër Vuciq në Kosovë, e cila është paraparë të ndodh më datën 8 dhe 9 shtator.
Si duket, kjo e-mail, është bërë problem kryesor edhe për anulimin e takimit Thaçi-Vuçiq në Bruksel, pasi nga Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës është thënë se ai nuk mund të shkojë në Ujman.
“Ju informojmë me kënaqësi se agjenda e vizitës (së Vuçiq në Kosovë v.j) është miratuar pjesërisht. Nuk mund t’i përgjigjemi pozitivisht kërkesës tuaj për vizitë në Gazivodë. Faleminderit për mirëkuptim”, thuhet në e-mail.
Por kush mund të sigurojë se Vuçiq nuk mund të vijë pa leje në këtë zonë ku edhe janë bërë përgatitjet tash e disa ditë?
Periskopi ka kontaktuar zyrtarin e MPJ’së, Jetlir Zyberaj i cili nga Brukseli ka thënë se nuk beson që do të ketë provokime të tilla.
‘’Nuk besoj që do të ketë provokime të tilla ngase ne si palë jemi të deshmuar për qasje konstuktive për arritjen e paqes ndërmjet dy vendeve’’, thuhet në përgjigjen e këshilltarit të ministrit Behgjet Pacolli.
I pyetur se nëse Vuçiq megjithatë shkon pa leje tek Liqeni i Gazivodës, Zyberaj për Periskopin nuk ka dashur të japë një përgjigje konkrete, duke thënë vetëm se çdo njeri i përgjegjshëm duhet t’i respektojë rregullat.
‘’Secili njeri i përgjegjshem i respekton rregullat, aq me tepër rregullat e një shteti tjetër’’, thotë zyrtari i MPJ’së.
Për këtë çështje, nga Brukseli ka folur sot edhe presidenti i Kosovës Hashim Thaçi i cili ka thënë se Kosova respekton dhe kupton kërkesën e presidentit Vuçiq për të komunikuar me popullin serb në Kosovë, por kjo duhet të bëhet vetëm sipas agjendës së paraparë.
“Nuk ka hapësirë për incidente, nuk ka hapësirë për kërcënime, do të evitojmë cdo mundësi që lent ë hapura këto cështje.Respektoj interesimin legjitim të presidentit serb për të komunikuar me qytetarët serb në Kosovë. Por, duhet të respektohet itinerari i plotë, i paraparë për vizitën në Kosovë”, ka thënë Thaçi, transmeton Periskopi.
Kujtojmë që më 26 mars të këtij viti, policia në Mitrovicë kishte arrestuar të ashtuquajturin shef i Zyrës për Kosovën në qeverinë serbe, Marko Gjuriq, pasi kishte shkelur ndalesën nga autoritetet kosovare.
Njësitet speciale të Policisë së Kosovës kishin intervenuar për ta penguar një tubim në Mitrovicën e Veriut në të cilin po merrte pjesë edhe një delegacion nga Qeveria e Serbisë.
Pavarësisht ndalesës për të hyrë në Kosovë, pjesë e këtij takimi ishte edhe Gjuriqi, i cili pas eskalimit të situatës atje, i ishin vënë prangat me dhunë. Tërë kjo skenë, ishte parë si provokim i Serbisë ndaj organeve të rendit në Kosovë.
Derisa presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ende nuk ka vendosur përfundimisht nëse do të vizitojë apo jo Kosovën siç ishte paralajmëruar ditë më parë, serbët në veri po bëhen gati për ta pritur atë.
Siç shihet në disa fotografi të postuara në rrjetet sociale, billbordat e qytetit janë mbuluar me posterë të presidentit serb. Madje edhe ura e Ujmanit tashmë ka marrë ngjyrat e flamurit serb.
Tash e sa javë po bëhet zhurmë e madhe që nga shpallja e idesë së presidentit Thaçi që në vazhdën e dialogut me Serbinë të propozohet edhe korrigjimi i kufijve ndërmjet dy shteteve dhe kërkesa për bashkimin e Luginës me Kosovën./Periskopi/















