Administrata e ngarkuar, Kosova rrezikon të humbë miliona euro nga BE-ja

Kosova ka dështuar të bëjë reformë në administratën “tejet” të ngarkuar publike dhe të hartojë pakon legjislative për këtë fushë. Kështu, rrezikon të humbë miliona euro nga Bashkimi Evropian, raporton KTV. Njohësit e Integrimeve Evropiane vlerësojnë se nëse institucionet punojnë me këtë ritëm, vështirë se do të arrijë që deri në qershor ta përfundojë […]
Kosova ka dështuar të bëjë reformë në administratën “tejet” të ngarkuar publike dhe të hartojë pakon legjislative për këtë fushë. Kështu, rrezikon të humbë miliona euro nga Bashkimi Evropian, raporton KTV.
Njohësit e Integrimeve Evropiane vlerësojnë se nëse institucionet punojnë me këtë ritëm, vështirë se do të arrijë që deri në qershor ta përfundojë pakon legjislative.
10 për qind është mesatarja të cilën vendet e Bashkimit Evropian e shpenzojnë nga buxheti i tyre për paga dhe shërbime.
Një mesatare e tillë Kosovën e lë shumë larg, pavarësisht se është shtet me ekonomi të dobët.
Vendi ynë, 40 për qind të buxhetit të shtetit e shpenzon për paga dhe shërbime për punëtorët e administratës publike.
Këtë përqindje, institucionet e vendit nuk janë munduar ta zvogëlojnë, pavarësisht se reforma në administratën publike qysh moti është dashur të ndodhë.
Ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar, ka përsëritur frazën e kahershme se ky vit do të jetë vit i reformave të thella.
Deputetët kanë pranuar se nga BE-ja shpesh ka pasur vërejtje për numrin e madh të punonjësve në administratë dhe mungesën e llogaridhënies.
Ndërkohë, njohësit e integrimeve Evropiane vlerësojnë se Kosovës mund t’i kushtojë shumë vonesa e reformës në administratë.
Hiç më mirë administrata publike nuk qëndron as në nivelin lokal.
Pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme të BE-së, pothuajse secila udhëheqje komunale ka dështuar ta bëjë depolitizimin e administratës publike, pasi që secila parti ka punësuar simpatizantë dhe militantë partiakë.
Megjithëse qershori është afati i fundit kur duhet të përfundojë pakoja legjislative lidhur me reformën në administratën publike, Kosova vetëm tash ka nisur hartimin e këtyre ligjeve.












