Mali i Zi: Demarkacioni mund të ketë korrigjime teknike, por ska ndryshime të veçanta

Me Marrëveshjen për kufirin midis Malit të Zi e Kosovës ka mundësi të ndodhin disa korrigjime teknike të vijës kufitare, por nuk ka kurrfarë ndryshimesh të veçanta. Kështu është shprehur shefi i diplomacisë malazeze, Sërgjan Darmanoviq, raporton RTV e Malit të Zi. Presidentët e Malit të Zi e të Kosovës, Filip Vujanoviq e Hashim Thaçi, […]
Me Marrëveshjen për kufirin midis Malit të Zi e Kosovës ka mundësi të ndodhin disa korrigjime teknike të vijës kufitare, por nuk ka kurrfarë ndryshimesh të veçanta. Kështu është shprehur shefi i diplomacisë malazeze, Sërgjan Darmanoviq, raporton RTV e Malit të Zi.
Presidentët e Malit të Zi e të Kosovës, Filip Vujanoviq e Hashim Thaçi, nënshkruan të premten e shkuar një deklaratë të përbashkët me të cilën i bëhej thirrje Kuvendit të Kosovës që të ratifikojë Marrëveshjet për kufirin shtetëror të nënshkruar në Vjenë më 26 gusht të vitit 2015.
I pyetur nëse në bazë të asaj marrëveshjeje mund të ndodhë ndryshimi i kufirit, Darmanoviq është përgjigjur se deklarata politike e Thaçit dhe Vujanoviqit konfirmon atë që tashmë ekziston në Marrëveshje, në nenin 7.
“Prandaj, nuk ka kurrfarë ndryshimesh të veçanta”, u ka thënë gazetarëve Darmanoviq dhe ka sqaruar se me nenin 7, pasi të ratifikojnë Marrëveshjen për kufirin të dy shtetet, Komisioni duhet të dalë në terren dhe të bëjë delimitimin, transmeton Koha.net.
Darmanoviq ka thënë se ka mundësi që, siç është shprehur ai, metër për metër të bëhet ndonjë korrektim teknik, gjë “Që e kemi ditur që në krye të herës”.
“Marrëveshja për kufirin duhet të ratifikohet, ndërsa këtu bëhet fjalë për përmirësime teknike që nuk sjellin kurrfarë rezultati të keq për asnjërën palë në procesin negociues”, ka theksua Darmanoviq.
Ai ka thënë shpreson se autoritetet malazeze me këtë veprim u kanë dhënë prova shtesë miqve nga Kosova se Mali i Zi është besnik i patundur i asaj Marrëveshjeje.
“Shpresoj se institucionet e Kosovës do të gjejnë rrugën që ta ratifikojnë Marrëveshjen me shumicën e nevojshme, në favor të marrëdhënieve të mira dhe të vetë Kosovës”, është shprehur Darmanoviq, raporton RTV i Malit të Zi.












