Kadaj-Bujupi: S’kam votë për demarkacionin

“Ka ende individë brenda Vetëvendosjes që mendojnë”, tha kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli, pas qëndrimit të prerë të Vetëvendosjes dhe Listës Serbe për të mos e votuar marrëveshjen për demarkacionin. Me këtë deklaratë, Veseli la të kuptohej se ndonjë deputet i Vetëvendosjes mund ta votojë këtë marrëveshje, përkundër kundërshtimeve të ashpra nga partia. […]
Me këtë deklaratë, Veseli la të kuptohej se ndonjë deputet i Vetëvendosjes mund ta votojë këtë marrëveshje, përkundër kundërshtimeve të ashpra nga partia. Por, deri tani asnjë deputet i Vetëvendosjes nuk ka deklaruar se ka votë për demarkacionin.
Periskopi ka kontaktuar me deputeten Donika Kadaj-Bujupi që të marrë një përgjigje për këto deklarata të Veselit.
Ajo e kundërshtoi ashpër mundësinë që ta votojë demarkacionin. Përkundrazi, tha se po bën përpjekje të bindë edhe ata deputetë që do ta votojnë që të mos e bëjnë.
Kadaj-Bujupi tha se s’ka pasur dyshime se pushteti i tanishëm do ta votojë këtë marrëveshje edhe pse dikur e kundërshtonte.
“Unë nuk kam pasur asnjë dyshim se kjo klasë politike në pushtet nuk do të sillet kështu siç bëri. Por ndihem shumë mirë që kam qenë pjesë e deputetëve të opozitës që e kanë kundërshtuar demarkacionin me Malin e Zi”, tha ajo për Periskopin.
Ajo vlerësoi se gabimi me Malin e Zi do të ketë efekt domino, duke paralajmëruar probleme edhe me Serbinë në të ardhmen
“Gabimi me Malin e Zi, fatkeqësisht, do të ketë domino efekt edhe me Serbinë në të ardhmen. Vota ime edhe të mërkurën do të jetë kundër . Por jo vetëm kaq, unë do të angazhohem maksimalisht që t’i bind edhe deputetët tjerë që të mos e votojnë këtë tradhti”, tha ajo.
Demarkacioni nuk mund të kalojë të mërkurën, përkundër pajtimit mes AAK-së dhe LDK-së. Për të kaluar marrëveshja nevojiten edhe votat e Listës Serbe ose të Vetëvendosjes.
Periskopi është përpjekur të kontaktojë edhe me dy deputetët Shqipe Pantina e Faton Topalli, por që të dy kanë qenë të pasqasshëm nëpërmjet telefonit. /Periskopi/












