Ahmeti-Vetëvendosjes: Ju që keni hedh gaz në Kuvend, qysh mund ta akuzoni dikë për dhunë?

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Shpend Ahmeti, ka folur për kërkesën e sotme të dy partive opozitare – LDK e VV- për mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme për çështjen e dështimit të liberalizimit të vizave, në të cilën opozitare akuzonin kryeministrin aktual Ramush Haradinaj se ka penguar me dhunë përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave, […]
Për këtë, Ahmeti është tallur me Vetëvendosjen, e cila ndryshe njihet edhe si parti e veprimeve të dhunshme në Kuvend e jashtë Kuvendit.
“Edhe ne kemi qenë të përfshirë në gazin lotsjellës në Kuvend, qysh po e akuzon dikë për diçka që e kemi bërë vetë a? Nuk i biem pishman për atë pjesë të kundërshtimit të Demarkacionit. Por, siç duket njerëzit po i harrojnë disa gjëra që i kanë thënë e që i kanë bërë. Nëse kërkohet dorëheqja e Qeverisë, pse nuk po iniciohet mocioni i mosbesimit”, tha Ahmeti.
Periskopi sot e publikoi të plotë kërkesën e LDK’së dhe VV’së në të cilën ndër të tjerash thuhej se “kryeministri i Republikës së Kosovës së bashku me partnerët e tij të koalicionit, të cilët dikur me dhunë dhe intriga po pengonin përmbushjen e kritereve të liberalizimit për viza, tani po fajësojnë Bashkimin Evropian për këto dështime të tyre”.

Ndërkohë ishe vetë Lëvizja Vetëvendosje ajo e cila kishte demonstruar dhunshëm përmes protestave si dhe në Kuvend ku kishte ndezur edhe gaz lotsjellës kundër demarkacionit me Malin e zi, që ka qenë kriter për liberalizimin e vizave.
Periskopi më pas raportoi se si kërkesa e opozitës, respektivisht LDK-së dhe LVV-së, për mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme ka ndryshuar.
Në kërkesën e re të cilën e kishte siguruar Periskopi, ishte hequr akuza që kryeministri Ramush Haradinaj dhe partnerët e tij përmes dhunës kanë penguar liberalizimin e vizave.
VV u kritikua për këtë akuzë për faktin se ishte vetë ajo që organizonte protestë të dhunshme, e madje ndizte gaz lotsjellës në Kuvend për të ndaluar demarkimin e Malin e Zi, që ka qenë kriter për liberalizimin e vizave dhe u pengua gati për tri vite nga opozita./PERISKOPI












