Ministrja Hoxha thoshte se do të udhëtojmë pa viza nga shtatori, ende asgjë konkrete

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha fiks para tetë muajve kishte thënë se gjasat për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës janë pas gjashtë muajve pasi të ratifikohet Demarkacioni me Malin e Zi. Përkundër premtimeve e caktimit të datave për vizat, deri më tani nuk shihet asgjë konkrete në këtë drejtim. Marrëveshja e Demarkacionit, […]
Marrëveshja e Demarkacionit, pas shumë tentativave në Kuvend ishte votuar më 21 mars të këtij viti, që i bie se kanë kaluar më shumë se shtatë muaj që nga ajo ngjarje. Liderët kosovarë çdo ditë japin data e caktojnë muaj për liberalizim të vizave, por diçkaje të tillë ende nuk po i shihet drita e gjelbër, shkruan Periskopi.
“Ne nuk mund të japim afat konkret se kur do të mund të udhëtojnë qytetarët lirshëm në Zonën e Shengenit, pasi që e gjithë procedura legjislative varet nga mekanizmat e brendshëm të institucioneve të BE-së. Sidoqoftë, çfarë mund themi është që pritjet e Ministrisë së Integrimit Evropian janë që e gjithë kjo procedurë të mos zgjasë më shumë se 6 muaj nga data e ratifikimit të Marrëveshjes së Demarkacionit. Një afat i tillë kohor është realist, pasi që është aplikuar në rastin konkret të liberalizimit të vizave në të kaluarën me vende të treta”, kishte thënë ministrja Hoxha në një intervistë të saj të datës 28 shkurt të këtij viti.
Ministrja Dhurata Hoxha nuk ia kishte qëlluar kur kishte dhënë atë premtim për liberalizim vizash, e përkundër kësaj, ajo vazhdon të jetë optimiste për data të tjera.
Ajo sot në debatin e organizuar nga “Asociacioni i Parlamenteve Evropiane” që po mbahet në Strasburg, ka kërkuar që liberalizimi i vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës të ndodh brenda këtij viti, duke u shprehur optimiste që diçka e tillë të ndodh shpejt.
Edhe kryeministri Ramush Haradinaj para disa javësh e kishte përsëritur se vizat do të bëhen deri në fund të vitit dhe se qytetarët e Kosovës do të gëzojnë të drejtën e të lëvizurit lirshëm në Evropë.
Të njëjtin optimizëm e ndajnë edhe liderë të tjerë, përfshirë edhe presidentin Hashim Thaçi, por pa dhënë ndonjë datë konkrete.
Megjithatë, kështu nuk po mendojnë ndërkombëtarët me arsyetimin se Kosova ka ende punë për të bërë në luftën kundër krimit dhe korrupsionit.
Shefja e Zyrës së BE’së në Kosovë, Natalya Apostolova para disa javësh ka thënë se Kosova duhet të vazhdojë punën e vetë në përmirësimin e fushës së sundimit të ligjit dhe luftimin e krimit të organizuar.
“Vendimi për këtë proces tani është tek shtetet anëtare të BE-së. Në këtë kohë Parlamenti i Kosovës duhet të tregoj gatishmëri në përmbushjen e detyrave në fushën e sundimit të ligjit dhe krimit të organizuar”, tha Apostolova duke mos përjashtuar edhe nevojën për të përmbushur në tërësi Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit si dhe Agjendës se Reformave Evropiane (ERA).
E së fundmi, është deputeti gjerman që gjatë qëndrimit në Prishtinë ua shuajti shpresat kosovarëve për vizat. Ai tha se edhe viti 2018-të do të përfundojë pa diçka konkrete në këtë drejtim.
Peter Beyer theksoi se Berlini nuk vendos në çështjen e dritës jeshile për lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës.
”Berlini nuk vendos për liberlizimin e vizave. Procesin e njihni. Komisioni i Parlamentit Europian ka votuar, 95% e kushteve janë plotësuar. Do të isha shumë i kujdesshëm në dhënien e datave, do të isha shumë optimist që këtë vit të ndodh liberalizimi i vizave. Por gati se është e pamundur të ketë dritë të gjelbër. Secili që mendon se këtë vit mund të ketë liberalizim, e ka gabim. Deri tani nuk është përcaktuar asnjë datë asnjë shtet. Nuk janë deklaruar ende askush. Është një proces i cili është në vazhdim dhe nuk duhet të jepet afat.
Kohëve të fundit janë shtuar zërat që thonë se vizat nuk liberalizohen para vitit 2020. Ndryshe, Komisioni Evropian në qershor ka dhënë rekomandim pozitiv për liberalizmin e vizave. Tre muaj më vonë, në shtator, Parlamenti Evropian ka votuar pro lirisë së lëvizjes së qytetarëve të Kosovës. Ndërsa në dhjetor të këtij viti pritet që Këshilli i Ministrave të japë vlerësimin mbi liberalizimin e vizave për Kosovën./Periskopi/












