20 vjetori i Forcave Speciale Shqiptare, Xhaçka: Ata janë heronjtë tanë të heshtur

20 vjet duken pak, por nuk është pak ajo çfarë Forcat Speciale i kanë dhënë dhe vijojnë t’i japin historisë së Forcave tona të Armatosura dhe vendit tonë. Kështu ka thënë ministrja shqiptare e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, duke theksuar se kjo trupë është një aset kombëtar dhe këta djem janë krenaria e Forcave tona të […]
20 vjet duken pak, por nuk është pak ajo çfarë Forcat Speciale i kanë dhënë dhe vijojnë t’i japin historisë së Forcave tona të Armatosura dhe vendit tonë.
Kështu ka thënë ministrja shqiptare e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, duke theksuar se kjo trupë është një aset kombëtar dhe këta djem janë krenaria e Forcave tona të Armatosura, krenaria e vendit tonë.
“Janë heronj të heshtur për të cilët flet vetë historia. Falë tyre flamuri ynë është valëvitur krenar, përkrah flamujve të aleatëve tanë, në teatrot më të vështira të operacioneve, që nga Mosuli i largët deri tek Kandahari i frikshëm”, ka thënë Xhaçka.
Forcat Speciale shqiptare, sipas saj, do të kenë vëmendjen dhe mbështetjen e shtetit.
“Këta djem duhet të trajtohen ashtu siç e meritojnë dhe kjo forcë të modernizohet më tej. Janë vërtet specialë dhe vendi do t’u jetë përherë mirënjohës për çfarë kanë bërë dhe vijojnë të bëjnë”, theksoi ministrja Xhaçka.












